Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa tha se partia që ai drejton do të kalojë në opozitë, për t’i shërbyer kombit dhe shtetit. Ai falënderoi votuesit që besuan tek PDK-ja.
“PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombin dhe shtetin. I jam mirënjohës mijëra njerëzve që i takuam këto ditë. Punuam fort, por nuk fituam dot”, tha ai në konferencë për mediat.
Kadri Veseli shënon humbjen e tretë radhazi në zgjedhje, duke mos arritur ta nxjerrë PDK-në të parën në Parlament për dy mandate, ndërsa, ka humbur edhe në shumicën e komunave.
PDK-ja ka dalë forcë e tretë në këto zgjedhje, ndërsa vendi i parë dhe i dytë po diskutohet mes LDK-së së Vjosa Osmanit dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit. Partia Demokratike e Kosovës pas 12 vitesh në pushtet detyrohet që të kthehet në opozitë, për të vijuar betejën opozitare, kundrejt partisë që do marrë qeverinë por kjo pritet të zyrtarizohet pas numërimit të votave.