Një firmë private e cila pretendon se ka marrë lejen e ndërtimit nga ish-kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, prej disa kohësh kërkon që të presë pyllin e mbjellur nga banorët në zonën e quajtur “Plepat e Brukës”, në Laknas të bashkisë së Kamzës.
Firma private shoqërohet për të prerë pyjet me polici private dhe me policinë e shtetit, pasi leja është marrë në bashki dhe parashikohet që të ndërtohet një thertore e madhe. Por kjo firmë ka hasur në kundërshtimin e banorëve të cilët ditën e sotme kanë dalë në rrugë dhe me hunj e kallama në duar të shoqëruar nga fëmijët e tyre bëjnë thirrje se askush nuk do të lejohet të shkatërrojnë pyllin që ata e kanë mbjellur vetë. Në disa momente ka patur edhe tensione mes policisë dhe banorëve.
Banorët shprehen se toka është dhënë nga Xhelal Mziu tre ditë para se të bëheshin zgjedhjet e 30 qershorit, ku bashkinë e Kamzës e fitoi Rakip Suli i Partisë Socialiste. Banorët shprehen se këtë tokë e kanë zënë tre persona që duan të ndërtojnë stallë e thertore derrash, ku një prej tyre është Bledar Daci.
Nga ana tjetër banorët shprehen se i kanë shkuar disa herë në zyrë Xhelal Mziut për këtë problem por për sa kohë që ishte ende në krye të bashkisë së Kamzës nuk i ka pritur. Po kështu banorët deklarojnë se kanë marrë edhe një premtim nga kryetari i ri, Rakip Suli i cili u ka thënë se kjo çështje do të zgjidhet.
Dy persona kanë humbur ndjenjat në protestën që banorët e Lakansit po bëjnë kundër një firme private që ka marrë lejen që të ndërtojë një subjekt në tokën pranë banesave të kësaj zone. Kanë qenë një grua e moshuar dhe një vajzë që kanë humbur ndjenjat në përplasjen e tyre me policinë. Banorët e tjerë i kanë dhënë ndihmën e parë personave në fjalë ndërsa në vendin e ngjarjes nuk ka ambulancë.
g.kosovari