Opozita e bashkuar deklaroi të mërkurën se i përgjigjet pozitivisht ftesës së partnerëve ndërkombëtarë për reformën zgjedhore, por në të njëjtën kohë shpalli pesë kushte në këmbim të angazhimit të saj. Por kushtet e opozitës konsistojnë në mënyrën e realizimit të reformës zgjedhore dhe jo për përmbajtjen e saj.
Njëkohësisht kryeministri Edi Rama në një intervistë per Report Tv tha se për të plotësuar kushtet e vendosura nga Gjermania për të hapur negociata, mjafton të votohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor që përputhen me kërkesat e OSBE-ODIHR dhe që janë të shkruar, pa nevojë për të pritur mbështetjen nga PD dhe LSI.
Një gjë e tillë u kundërshtua hapur sot nga kreu i opozitës së bashkuar Lulzim Basha. Ne fakt sa i takon përmbajtjes së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste që nga viti i kaluar ka pranuar pothuajse të gjitha kushtet e Partisë Demokratike.
Në 18 dhjetor të 2018, Partia Socialiste, përmes 9 deputetëve, depozitoi një draft për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Drafti reflekton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale dhe vendore që janë organizuar në Shqipëri si dhe dy kërkesat kryesore të Partisë Demokratike.
Kushtet e PD janë artikuluar nga ish-deputeti Oerd Bylykbashi në mbledhjen e dytë të Komisionit për Reformën Zgjedhore. PD nuk ka pranuar vetem votimin nga emigrantët dhe komisionerë jo politikë, të parashikuara në draftin e PS. Komisionerët jo politikë është një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR.
1. Teknologjia në zgjedhje
Kushti kryesor i Partisë Demokratike për reformën zgjedhore është përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, konkretisht identifikimi biometrik i zgjedhësve, votim dhe numërim elektronik. Ky propozim kushtëzues i PD parashikohet në nenet 4, 5 dhe 6 të draftit të PS, duke ngarkuar KQZ, për të eksploruar, eksperimentuar dhe vendosur përdorimin e sistemeve elektronike në zgjedhje.
2. Financimi i fushatave zgjedhore
Partia Demokratike ka kërkuar EDHE financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive. Drafti i PS parashikon disa kufizime të forta sa i takon financimit dhe shpenzimeve në fushatë. Sa pari, parashikon uljen e pragut të dhurimit ndaj partive dhe kandidatëve nga 100 mijë lekë që parashikon Kodi në fuqi në 30 mijë lekë. Së dyti, është parashikuar që shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike në fushatë, përfshirë edhe kandidatët e saj, nuk duhet të jetë më shume se 2 herë më e madhe se shuma që ka marrë subjekti zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore. Po ashtu, partitë politikë dhe çdo kandidat e ka të ndaluar blërjen e reklamave politike në mediat publike e private kundrejt pagesës, 3 muajt fundit para zgjedhjeve. Këtë ndalim e kanë edhe institucionet shtetërore.
Sistem masash kundër shitblerjes së votës
Partia Demokratike ka kërkuar gjithashtu sistem masash kundër shitblerjes së votës, dekriminalizim të procesit zgjedhor, Veting politikës dhe pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin. Në këtë aspekt, drafti i PS parashikon krijimin e një portali nga KQZ për të denoncuar të gjitha shkeljet e ligjit zgjedhor. Gjithsesi, këto kushte nuk mund të adresohen plotësisht në Kodin Zgjedhor, por mbetet në vullnetin e partive për të ashpërsuar dënimet në Kodin Penal për krimet zgjedhore. Nje pjese e keto ashperesime jane bere. Sa i takon Vetingut në politikë, një kush i tillë u rrëzuar nga Komisioni i Venecias, ndërsa për pastrimin e policisë nga krimi po zbatohet Vetingu në polici. Mes kerkesave kryesore te paraqitura nga OSBE/ODIHR shumica jane te perfshire ne draft te PS si per shembull:
Disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR
Të depolitizohen komisionet zgjedhore
Jo filmime të prodhuara nga partitë politike që transmetohen në lajme
Të rregullohet çështja e adresave të zgjedhësve.
Rregullat më të forta për regjistrimin e kandidatëve.
Të mos ushtrohet presion ndaj punonjësve të sektorit publik.
Të trajtohet problemi i shitblerjes së votës.
AMA duhet të monitorojë median gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve.
Vëmendje duhet t’i jepet rishikimit të metodologjisë së BMM-së.
Duhet të mendojnë për të fuqizuar transmetuesin publik shtetëror.
Të dhëna të sakta mbi pronësinë e mediave duhet të bëhen publike.
Vëmendje duhet t’i kushtohet rritjes së transparencës në procesin e nxjerrjes së rezultateve.
Kushtet e PD për reformën zgjedhore
Përdorimi i teknologjive në votim, identifikim biometrik të votuesve, votim dhe numërim elektronik.
Financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive.
Sistem masash kundër shitblerjes së votës, dekriminalizimi i procesit zgjedhor – Veting i politikës- pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin.
Parashikimet e draftit të PS
Përdorimi i teknologjive në votim, identifikim biometrik të votuesve, votim dhe numërim elektronik.
Pragu i dhurimit ndaj partive dhe kandidatëve ulet nga 100 mijë lekë në 30 mijë lekë.
Personat që i bëjnë dhurime një partie nuk mund të marrin përfitojnë para publike mbi 10 milionë lekë, për një periudhë 3-vjeçare.
Shpenzimet e partive nuk duhet të jenë më shumë se sa dyfishi i shumës që marrin nga buxheti i shtetit.
Ndalimi i reklamave politike në media kundrejt pagesës 3 muaj para zgjedhjeve.
Portal nga KQZ për denoncime në lidhje me financimet e fushatës.
Rregulla të forta për afishimin e materialeve propagandistike.
Komisioneri jopartiakë të zgjedhur me short nga KQZ
Votim nga emigrantët.
Vendosje e kuotave gjinore në jo me pak se 30 për qind të përbërjes së Kuvendit dhe organeve të organeve vendore.
Vendosje e kuotave gjinore në jo me pak se 30 për qind të administratës zgjedhore.
Kërkesat e partitive të vogla
Ndryshimi i sistemit zgjedhor
Korrektimi i sistemit proporcional rajonal, duke përfshirë korrektimin kombëtar të votave
Votim elektronik dhe numërimin elektronik të votave
Realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve
Transparencë e financimit të partive
Të ulet kostoja e fushatës zgjedhore në mënyrë drastike
Të forcohen ndalimet për financimin dhe të forcohen penalitetet
Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik
Reduktimi e nominimi i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore
Ndalim rreptësisht përdorimit të burimeve njerëzore të administratës publike