Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar me një deklaratë zyrtare, i shqetësuar për një kontroll tatimor që po i bëhet portalit të familjes së Berishës, drejtuar nga Çim Peka.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta po ndjek me shumë shqetësim dhe vëmendje kontrollin e beftë tatimor, që po ushtrohet sot ndaj mediave të pavarura Syri.net dhe Syri TV.
Me shpresën se ky kontroll hetimor të mos ketë prapavijë politike, Presidenti Meta thekson se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë.
Duke sjellë në vëmendje konkluzionet alarmante të raporteve të fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, sipas të cilave media sot në Shqipëri është më pak e lirë dhe e pavarur, Presidenti i Republikës përsërit thirrjen e tij publike për të ndaluar të gjitha sulmet verbale e fizike, presionet e shantazhet ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit.
Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.
Presidenti Meta shpreh solidaritetin e Tij të plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë, duke garantuar se do të jetë në krah të misionit të tyre, në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik”, shkruan Meta.
Kujtojmë që mediat për të cilat reagon Meta, financohen nga familja Berisha, ndërkohë që me Çim Pekën, Ilir Meta bën ecjet e tij në mal dhe e ka këshilltar mediatik.
Dhe sot, Meta reagon i shqetësuar pikërisht për një media që jo vetëm funksionon prej vitesh në të zezë, por pak ditë më parë kreu një akt kriminal, duke terrorizuar shqiptarët me alarmin e rremë për një tërmet që do të bënte gjëmën në Shqipëri.(Tema) /l.m