Dy grupe rivale janë përplasur në zonën e Kinostudios në qershor të vitit 2018.
Më shumë se 15 të shtëna kanë dëgjuar banorët e zonës, të cilat sipas informacioneve policore, kanë dalë nga disa pistoleta të ndryshme. Mediat raportojnë se një prej autorëve ka qenë Santiago Malko, i ekzekutuar këtë vit.
Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur Rivelino Mumajesi, 36 vjeç, dhe Juxhin Mumajesi, 24 vjeç. I plagosur ka mbetur edhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin e Traumës. Policia ka shoqëruar 23 persona, mes tyre edhe një të ri.
Konflikti ka nisur pranë këtij lokali dhe te makina BMV që shohim në pamje, e cila ishte në pronësi të Rivelino Mumajesit.
Banorët e zonës treguan se kanë parë disa persona të shtrirë në tokë, ndërkohë që rruga ishte e mbuluar nga gjaku. Burime nga Policia e Tiranës i thanë se dy persona me maska kanë qëlluar në drejtim të dy vëllezërve Mumajesi, të cilët kanë qenë shënjestër e këtij atentati. Këta të fundit i janë përgjigjur të shtënave. Gjithashtu burimet theksuan se shkak i përplasjes me armë është një çështje borxhi.
Dyshohet se dy vëllezërit Juxhin dhe Rivelino Mumajesi i kanë pasur një shumë të konsiderueshme borxh disa personave të tjerë. Policia po heton edhe për pistën e prishjes së pazareve të drogës mes dy grupeve rivale.
Në mars të 2017-së Rivelino Muajesi është përfshirë në një tjetër përplasje me armë, por në atë kohë me Eduart Dukën. Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar 29-vjeçarin Ervis Bano, pasi menjëherë pas përplasjes ka shkuar të fshehë pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin përplasjen me armë mes dy grupeve.
/a.r