Dy partizanë të varur… Kjo ishte në thelb të koreografisë së tifozëve bardheblu, që u konsiderua fashiste nga pala kundërshtare, madje edhe prej zv.kryeministrit Erion Braçe. Çuditërisht, ndeshja nuk u ndal nga zyrtarët e ndeshjes, baneri i madh qëndroi i ekspozuar gati 7-8 minuta. Polemikat për të kanë shpërthyer pas lojës, që nxori sërish fitues Partizanin në derbin e madh të kryeqytetit. “Ultras Guerrils” kanë mbajtur qëndrimin e tyre:
“Tifozëria e Partizanit dhe çdo tifoz me mentalitet të mirëfilltë, pa dallim ngjyrash, duhet medoemos të distancohet nga makabriteti që nxit dhunë përtej çdo kufiri të imagjinueshëm sportiv. Tashmë nuk flitet për mentalitet ultras dhe mentalitet tifozërik, por për një tufë të sëmurësh mendorë, që vetëm i shkaktojnë dëme atmosferës dhe aktivitetit tifozërik ultras në vend. Së shpejti, përveç idiotizmave huliganeskë, që pretendojnë të bëjnë kundërshtarët tanë, do bëhet publik edhe një gjest me fishekzjarre, që shkon shumë larg, deri në rrezikimin fizik të mbi 1500 vetave në tribunë, mes tyre fëmijë, të moshuar, vajza.
Për këtë gjest organizatorët do të mbajnë përgjegjësi shumë të madhe. Ne nuk jemi promotorë të dhunës e nuk na pëlqejnë të tilla akte, por kur duhet, dimë si të reagojmë pa përdorur mjete të rrezikshme dhe gurë. Gjithashtu, i bëjmë thirrje medias dhe portaleve serioze të paraqesin me paanësi ngjarjen, pasi nuk mund të krahasoni dhe të ulni në të njëjtin nivel tifozërinë e Partizanit, që nuk sulmoi askënd, me të sëmurë mendorë, që përcjellin mesazhe dhe veprime, të cilat gjenerojnë urrejtje dhe prçarje.Ultras Guerrils, gjithmonë ultras dhe gjithmonë në mënyrën tonë!”
/a.r