Një kopësht dhe një çerdhe e re është lajmi më i mirë për Kombinatin, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i disa ditëve më parë. Por, ndonëse Bashkia e Tiranës po vijon në terren procedurat për rindërtimin apo rikonstruksionin e banesave të prekura nga lëkundjet e tokës, kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi kopshtin dhe çerdhen e re Nr. 34, e cila frekuentohet nga 150 fëmijë. Risia e këtij kopshti është jo vetëm ofrimi i shërbimit psikosocial, por edhe prania e mjekut që monitoron zhvillimin fizik të fëmijëve, e veçanërisht të atyre me nevoja të veçanta.
“Jam shumë i lumtur që logopedistët, psikologët, i gjithë stafi ynë ndihmës, do t’i kushtojë një hapësirë të veçantë fizike, por edhe kohore, të gjithë engjëjve tanë që kanë aftësi ndryshe, të cilët meritojnë të njëjtin shans për sukses, si gjithë fëmijët e tjerë të Tiranës”, u shpreh Veliaj. Hapja e këtij kopshti vjen menjëherë pas tërmetit, ndërkohë që edukatoret dhe psikologët po kujdesen që fëmijët ta kalojnë më lehtë atë.
“Fakti që po e hapim pas një fatkeqësie natyrore, pra fëmijët e filluan javën pas tërmetit me një kopsht të ri, me mësuese, me edukatore, me psikologë, me asistentë që shpjegojnë edhe nëpërmjet lojës se çfarë ndodh kur tronditet toka, besoj se tranzicionin nga java traumatike e kanë kaluar më të butë se kushdo tjetër, në këtë hapësirë fantastike”, theksoi Veliaj.
Ai shtoi se pasojat e tërmetit, por edhe të reshjeve të fundit, meritojnë një vëmendje dhe një reflektim për atë që i kemi bërë natyrës. “Tërmeti nuk ishte vetëm një dukuri natyrore, por provokoi edhe një debat mbi mentalitetin tonë, mbi faktin se ndërtojmë kuturu, zaptojmë hapësirat publike, bëjmë shtesa mbi shtesa, arna mbi arna, sajesa mbi sajesa.
Ky është edhe një apel për të ndryshuar mentalitetin. Ky është mentaliteti ynë: hedhim goma, ndezim zjarre, ndërtojmë mbi përrenj dhe lumenj, i hedhim frigoriferët, lavatriçet, kolltuqet në Lanë”, tha Veliaj, teksa u shpreh se është koha për t’i dhënë fund edhe zaptimit të hapësirave publike apo të institucioneve arsimore.
“Kemi shenjuar një moment ku, nga tani e tutje, asnjë gjeneratë e të rriturve nuk do guxojë të zaptojë një centimetër këndi lodrash, të një çerdheje, të një kopshti, të një shkolle, të një parku apo të një hapësire publike, lulishte mes pallatesh, e cila u është dedikuar çunave dhe gocave të këtij qyteti”, deklaroi ai.
Kryeashkiaku siguroi të gjithë banorët e prekur nga pasojat e tërmetit se banesat e tyre të dëmtuara do të rindërtohen, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin e biznesit.
“Shumica e shtëpive që janë prishur nga tërmeti, janë shtëpi kryesisht të ndërtuara në mënyrë primitive. Doja shumë që të vazhdojmë edhe me adoptimin e disa hapësirave që kemi identifikuar këtu në Kombinat, apo në zonat përreth.
Pra, për të gjithë donatorët që duan të adoptojnë një shtëpi në Kombinat, të sigurohemi që, siç kemi bërë shtëpinë e përbashkët, ashtu edhe shtëpitë individuale t’i bëjmë në kohë rekord, para Vitit të Ri, qoftë për banesat më të dëmtuara, qoftë me disbursimin e parave për banesat më pak të dëmtuara”, u shpreh Veliaj. Ai nënvizoi se gjatë këtyre pesë viteve, Kombinati ka pësuar një sërë ndryshimesh, të cilat kanë përmirësuar cilësinë e jetës së gjithë komunitetit.
“Para 5 vitesh, Sharra digjej, tym e plehra, njerëzit nuk hapnin dot dritaret. Komuniteti i biznesit ka zgjidhur një nga krizat më të mëdha mjedisore si Landfill i Sharrës, i cili sot është bërë një pyll me 10 mijë plepa, duke zhdukur përfundimisht ndotjen.
Rruga ishte si rrugë Afganistani, e sapobombarduar, me gropa. Për shkollë nuk bëhej fjalë fare; 800 fëmijët që janë sot tek “Betim Muço”, më parë shkonin të gjithë me furgonë tek 21-shi. Ditët më të mira për Kombinatin janë përpara, por kur mendoj çfarë kemi bërë këto 5 vite në Kombinat, jam i mbushur me entuziazëm”, tha Veliaj.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se investimet e Bashkisë së Tiranës gjatë këtyre 5 viteve e kanë transformuar Kombinatin, duke ofruar të njëjtat standarde si në qendër të qytetit. Rindërtimi i kopshtit dhe çerdhes u mundësua nga kompania “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. Kjo godinë ka një zyrë psikologu, dhoma fjetje për latantë dhe dhomë të dedikuar për fëmijët me aftësi të veçanta.