Nga Alfred Peza
Edhe thonë pastaj, se nuk i dogjën mandatet e deputetëve e dolën me molotov në rrugë, për të penguar Shqipërinë!
Lulzim Basha menjëherë pas vendimit të Bundestagut gjerman, që votoi PRO çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, tha për herë të parë pas kaq shumë muajsh me gojën plot, se ishte më në fund gati për tu ulur në tryezën e dialogut edhe me Kryeministrin Edi Rama.
Çfarë do të thotë kjo?
Pasi katëshja e lidershipit të opozitës rrugore nuk ia doli dot që ti bllokonte zgjedhjet lokale dhe pasi dështuan në përpjekjet për ta lënë Shqipërinë jashtë portave të BE, duket se janë dorëzuar. Por jo plotësisht.
PD, LSI dhe aleatët e tyre duhet të pranojnë se 30 Qershori ia uli brekët. Ndërsa vendimi i Bundestagut gjerman, ua hoqi fare. Është e njohur nga historia, se vetëm kur njëra nga të dyja palët arrin në këtë pikë, është e sigurtë se jemi pranë dialogut mes tyre.
E ashtu si në përrallën e “Mbretit lakuriq” Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi duhet të dalin tani përpara shqiptarëve, që edhe ata vetë ti shohin ashtu siç sot janë politikisht. Krejt të zbuluar e pa asnjë argument që ti mbrojë për atë që u ndodhi.
Ndaj krerët e “Opozitës së Bashkuar”:
– Duhet ta pranojnë hapur e me gojën plot humbjen e strategjisë së tyre antisistem.
– Duhet ta kuptojnë gabimin e madh kur tentuan që ta çonin Shqipërinë drejt greminës për hallin e tyre personal.
– Duhet ti kërkojnë falje popullit opozitar që i lanë rrugëve e pa asnjë përfaqësim në Parlament, pushtetin qëndror e atë lokal.
– Duhet të analizojnë se përse dështuan përfundimisht në çdo aspekt të përpjekjeve diabolike, për ta fituar pushtetin në tavolinë duke besuar se kështu do të bllokonin dhe do ta zhbënin reformën në drejtësi për ti shpëtuar ndëshkimit për krimet dhe korrupsionin e tyre në 30 vitet e shkuara.
– Duhet të shpallin të falimentuar kauzën e tyre “ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita”.
E vetëm pas kësaj ata mund të kërkojnë që të ulen pa kushte në tryezën e madhe të dialogut politik me mazhorancën qeverisëse.
Ndryshe, nuk ka asnjë garanci se ata kanë mësuar diçka nga kjo histori. E për rrjedhojë, të na bëjnë të besojmë, se nuk do ta përsërisin më.
Mirë që Shqipërinë nuk e penguan dot në rrugën drejt Bashkimit Europian. Mirë që Edi Rama nuk iku dhe ata nuk u shkrinë as vetë!
Por të paktën të na japin një shenjë, se e kanë kuptuar që dalja nga sistemi është një rrugë, të cilën nuk ia urojnë askujt që ta ndjekin në të ardhmen! /l.m