Zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda kreu një inspektim në ambientet e ADISA-s në Njësinë Nr. 6 Tiranë, ku aplikohet për dokumente identiteti biometrike. Zv.ministrja u shpreh se për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që u skadojnë dokumentet brenda këtij viti, është përcaktuar një radhë për aplikimet, duke lejuar të aplikojnë brenda muajit tetor vetëm shtetasit që kanë marrë dokumentet në fashën kohore Janar – Prill 2009; në muajin Nëntor ata që kanë marrë dokumentet në muajt Maj – Gusht 2009 dhe pjesa tjetër në Dhjetor.
Kjo ndarje, nënvizoi Voda, duhet respektuar pasi përndryshe, personat që kapërcejnë afatet, do të mund të aplikojnë vetëm në janar 2020.
Parlamenti zgjati afatin e vlefshmërisë dokumenteve që skadonin brenda 2019-ës me qëllim që t’u lehtësonte qytetarëve kryerjen e shërbimeve dhe për shkak të procesit zgjedhor të këtij viti. Tashmë çdo shtetas gjendet para mundësisë të aplikojë në kohë për të marrë dokumentin e ri të identitetit, qoftë ID apo pasaportë biometrike.
Gjatë inspektimit, Zv.ministrja Voda deklaroi se, “Kemi menduar, në mënyrë që të rregullojmë fluksin, – i cili patjetër në muajin dhjetor do të jetë i lartë, pasi kemi përveç kartave të identitetit edhe pasaportat biometrike, – të bëjmë një ndarje në fasha të qytetarëve për aplikim. Do të thotë u bëj thirrje qytetarëve, të cilëve u skadon karta në periudhën janar-prill, të vijnë të aplikojnë brenda muajit tetor. Qytetarët nga maji deri në gusht duhet të aplikojnë në muajin nëntor dhe, nga shtatori deri në dhjetor, do të aplikojnë në muajin dhjetor. Këtë ndarje në fasha ne e kemi bërë që të shmangim fluksin, që qytetarët të marrin shërbimin në kohë”.
Kartat ID të prodhuara në muajt janar, shkurt, mars, prill 2009- Aplikimi deri në 31 Tetor 2019
Kartat ID të prodhuara në muajt maj, qershor, korrik, gusht 2009-Aplikimi deri në 30 Nëntor 2019
Kartat ID të prodhuara në muajt shtator, tetor, nëntor, dhjetor 2009- Aplikimi deri në 31 Dhjetor 2019.
/a.r