Nga Mentor Kikia
Reforma zgjedhore është kushti i pestë dhe më “delikati” i Gjermanisë për hapjen e negociatave.
Së pari, dua të them se kushtet gjermane nuk duhen parë si barriera, por si detyrime që na imponohen për të përmirësuar standardet shtet-formuese dhe demokratike në Shqipëri, e pastaj si mekanizma që na hapin rrugën për hapa të rinj drejt BE-së. Për këtë arsye jam i prirur ti shikoj si shumë pozitive.
Por pikërisht Reforma zgjedhore mund të jetë gozhda ku sharra mund të ngecë. PD bëri disa propozime shumë të mira, që nëse shtjellohen e zbatohen seriozisht mund të çojnë në reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik, përfshi edhe funksionimin e vetë partive.
Por PD ka kushtëzuar angazhimin e saj me zhbërjen e komisionit parlamentar, duke sygjeruar një “strukturë” nën drejtim ndërkombëtar. Rama, mendoj me të drejtë, e ka refuzuar këtë. A duhet tua lëmë të huajve të na bëjnë reformën zgjedhore? Nuk mendoj se është nevoja.
Idetë e hedhura nga PD, por edhe të tjera që mund të prodhohet ndërkohë, duhet ti nënshtrohen një diskutimi të gjerë publik, pasi reforma zgjedhore nuk duhet të jetë produkt i ndonjë marrëveshjeje kulisash. Nuk shikoj që këtë mision nuk mund ta përmbushë një komision parlamentar.
Nëse PD do ta refuzojë forcërisht komisionin, nuk është cudi që reforma të mbetet në duart e opozitës së “re”, ku pjesa dërruese janë ca karagjozë e injorantë.
Pas reformës në drejtësi, reforma zgjodhore është më e rëndësishmja, ndaj ajo nuk duhet parë thjeshtë si retushim ligjesh, por të shikohet si themeli i ngrehinës së demokracisë për sot dhe të ardhmen.
Ndaj meriton të gjithë seriozitein e çdokujt. Para se të bëhet për të plotësuar kushtet e negociatave, ajo duhet të bëhet për të kthyer besimin e shqiptarëve tek demokracia dhe tek vota e tyre.