Kryeministri i vendit Edi Rama në një intervistë në ERTV nga Nju Jorku ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri tha se “Shengeni Rajonal” do të ndihmonte në heqjen e kufijve në Ballkan për njerëzit dhe mallrat. Ai konfirmoi se do heqin kufijtë në Ballkan për njerëzit dhe mallrat.
Po ashtu, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar për mediat e vendit të tij se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Vuçiç thekson se me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka diskutuar për heqjen e barrierave për bizneset dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe shërbimeve.
Presidenti serb ka theksuar se është diskutuar në takim për një “Shengen të vogël” që pritet të formohet nga tre shtetet: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kosova nuk përfshihet në këtë marrëveshje dhe i pyetur nga gazetarët, Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme për Serbinë që Prishtina të përfshihet në këtë proces”.
Madje presidenti serb ka dhënë edhe detaje, duke thënë se një marrëveshje specifike në këtë fushë do të firmoset në konferencën e Novi Sadit, më 9-10 tetor, ku ai pret të jenë të pranishëm Rama dhe Zaev.
“Ajo që diskutuam është se duam të jemi më specifikë. Ne duam të krijojmë lidhje më të thella politike dhe ekonomike dhe të paraqitemi para BE-së si një bllok, sesa individualisht,” u tha Vuçiç gazetarëve.
Ideja e të ashtuquajturit “Shengen ballkanik” qarkullon prej vitesh, por janë Kosova dhe Mali i Zi që e kundërshtojnë ashpër pasi e konsiderojnë këtë veprim si një përpjekje për rikthimin e ish-Jugosllavisë.
Një nismë e tillë, pavarësisht sovranitetit për vetëvendosje të çdo vendi të përfshirë ose në projekt për t’u përfshirë në të, ka impakt direkt jo vetëm mbi sigurinë e vendeve fqinje të hapësirës së Bashkimit Europian, brenda dhe jashtë zonës Shengen (disa prej tyre në kufi me Ballkanin Perëndimor), por edhe në procesin e dialogut të secilit prej tyre me Bashkimin Europian, procesi i cili dihet që synon arritjen e standardeve të unionit nga këto vende nëpërmjet një sistemi të tërë rekomandimesh e realizimesh konkrete.
Megjithatë, sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë kufitare, Pëllumb Nako, ideja e Shengenit Ballkanik, është vetëm mjet propagandistik i radhës për t’iu larguar problemeve reale. “Nuk është i realizueshëm. Kurse si mjet presioni është në kufijtë e qesharakes. Të fillosh ndërtimin e një modeli Shengen në qarkullimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të thotë të fillosh ndërtimin e një ndërtese nga katet e sipërme, në mungesë totale të themeleve. Shengeni nuk është thjesht rrëzim i kontrolleve në kufi ndërmjet shteteve.
Ky është kaos. Mbi të gjitha, ai është ndërtim i një hapësire të përbashkët të qeverisur në mënyrë të integruar nga institucione mbikombëtare dhe kombëtare. Është një zinxhir hallkash të sigurisë, të integruara në nivel komunitar dhe kombëtar që zëvendësojnë sigurinë kufitare të çdo vendi, duke e spostuar atë në brendësi të territorit të përbashkët nëpërmjet ndërtimit të institucioneve të reja. Ajo që propozohet si hap i parë nga qeveria jonë, duhet të jetë i fundit. Lista e ndryshimeve ligjore kombëtare dhe ndërtimi i atyre të përbashkëta të Shengenit Ballkanik do të kërkonte edhe një faturë financiare jo të vogël, që për produkt do të kishte vetëm karshillëkun ndaj Këshillit Europian. Hyrja në Bashkimin Europian është më e thjeshtë dhe pa shpenzime sesa krijimi i Shengenit ballkanik”, shkruan ai.
Por nga ana tjetër, edhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, është i mendimit se lëvizja e lirë e qytetarëve të rajonit është e vonuar. Sipas tij nuk mund të pritet integrimi i vendeve të rajonit në BE, pa integrimin e brendshëm të këtyre shteteve. “Ne jemi të vonuar sa i përket procesit të lëvizjes së lirë të qytetarëve pa procedura të komplikuara, meqë integrimi rajonal është parakusht formal për integrimet evropiane. Bashkëpunimi më i ngushtë i vendeve të rajonit, paraqet edhe një mekanizëm të sigurtë për stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, shprehet Pendarovski në një intervistë për “DW”.
Po ashtu, për profesorin universitar Nazmi Maliqi, iniciativat për një mini Shengen Ballkanik janë domethënëse dhe aktuale, kur dihet se vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë integrimin në familjen e madhe evropiane. “Është një hap i standardeve të BE-së dhe të NATO-s, sepse përveç stabilitetit të brendshëm dhe të gjitha pikave të tjera që kërkohen për një anëtarësim të plotë, edhe bashkëpunimi rajonal ka domethënie me prioritet’, thotë Maliqi.