ALBtelecom ndërmerr një bashkëpunim strategjik afatgjatë me Postën Shqiptare. Përmes tij synohet rritja e mundësive për qytetarët për marrjen e shërbimeve kudo ku ata ndodhen.
“Jemi mjaft të kënaqur që po shtojmë bashkëpunimin me Postën Shqiptare, një partner i hershëm i ALBtelecom, jo vetëm duke qenë dy institucione historike në fushën e komunikimit, por edhe për shkak të afërsisë me qytetarët në të gjithë Shqipërinë” – tha Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom Z. Tahsin Yilmaz.
Nga ana e saj Posta Shqiptare e sheh me rëndësi këtë bashkëpunim për një sërë arsyesh.
“Falë këtij bashkëpunimi, Posta kthehet në një One Stop Shop, duke mundësuar kryerjen e disa shërbimeve në një vend, që do të thotë më pak radhë dhe më shumë kohë e kursyer për klientët ALBtelecom”, – tha Administratori i Posta Shqiptare, Z. Laert Duraj.
Duke filluar nga sot, Posta Shqiptare do të ofrojë shërbimin e shpërndarjes së faturave të ALBtelecom-it, si mundësi shtesë për dyqanet dhe pikat e shitjes së kësaj kompanie. Klientët e ALBtelecom do të kenë mundësi të paguajnë faturat e telefonisë fikse, asaj celulare, të internetit dhe të paketave ALBtv, në çdo zyrë postare në vend.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi strategjik, ALBtelecom dhe Posta Shqiptare do të mundësojnë përfitime të tjera për klientët në të gjithë Shqipërinë në muajt në vazhdim. /l.m