Presidenti amerikan Donald Trump tha dje, në OKB, se do të ishte e tmerrshme për Mbretërinë e Bashkuar që të mos largohet nga Bashkimi Europian sipas kushteve të kryeministrit britanik, Boris Johnson, që kundërshtohen nga Parlamenti dhe Gjykata Supreme.
“Vetëm një njeri si ai mund ta bëjë këtë. Unë mendoj se ai do ta bëjë atë. Do të ishte e tmerrshme të ndiqet një rrugë tjetër.” tha presidenti amerikan në lidhje me Brexit-in, siç parashikohet nga Kryeministri Britanik
Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe tha se pezullimi i parlamentit, kaq pranë Brexit-it, nga kryeministri konservator, Boris Johnson, është i paligjshëm.
“Këshilla e Johnson ndaj mbretëreshës Elizabeth II për të ndërprerë punimet ose pezulluar parlamentin ishte e paligjshme, e pavlefshme dhe nuk ka asnjë efekt”, tha Brenda Hale, kryetare e Gjykatës Supreme, duke shtuar se 11 gjykatësit ishin unanimë në vendimin e tyre.
“Kjo nuk ishte një ndërprerje normale e punimeve dhe parlamenti ndaloi së kryeri rolin e tij”, tha Hale.
Johnson deklaroi se dëshironte të hapte rrugën për një program të ri pune qeverie në një seancë të re të parlamentit.
Kundërshtarët e akuzuan se po kërkonte të kufizonte shqyrtimin e planeve që Britania e Madhe të largohej nga BE, me ose pa marrëveshje, më 31 tetor.
“Parlamenti britanik duhet të rifillojë punën menjëherë dhe Boris Johnson duhet të vlerësojë pozicionin e tij si kryeministër”, deklaroi kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn.
“Gjëja e dukshme për t’u bërë është mbajtja e zgjedhjeve. Jeremy Corbyn shprehet gabim dhe se edhe ai duhet të kërkojë zgjedhje”, u shpreh Johnson para gazetarëve.
Kryeministri nuk pranoi të thoshte nëse do të jepte dorëheqjen dhe nëse e kishte vënë Mbretëreshën në telashe me këtë pezullim të Parlamentit.
/a.r