Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka deklaruar sot ndërtesat e verifikuara në terren, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i dy ditëve më parë, nuk kanë probleme strukturore, por kryesisht të rifiniturave.
Sipas tij, nga dita e djeshme është ndërhyrë në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat ku ka pasur nevojë për riparime të vogla dhe ato do të hapen nesër me rifillimin e mësimit.
“Një pjesë e problemeve ka të bëjë me ndërtesat e larta, ku nga të gjitha rastet e verifikuara deri më tani, për fat të mirë, kemi të bëjmë me probleme të rifiniturave, jo me probleme strukturore të ndërtesave. Kemi vlerësuar gjatë ditës së djeshme të gjitha ndërtesat me funksione publike, tipikisht shkollat, kopshtet dhe çerdhet, ku gjithashtu nuk kemi pasur probleme strukturore. Edhe aty kemi pasur probleme me rifiniturat, kryesisht suva, diku një pllakë, diku një xham i thyer”, tha ai.
Mazniku shtoi se problematikat më të mëdha, siç është raportuar edhe në media, janë në shtëpitë e vjetra në zonat rurale, të cilat janë ndërtuar nga vetë banorët.
“Disa prej tyre janë të vjetra, disa janë 100-vjeçare, me metoda të vjetra ndërtimi. Atje kemi probleme sistematike. Në ato zona duam që bashkë me grupin e inxhinierëve, të verifikojmë situatën e secilës prej këtyre ndërtesave, në mënyrë që të kemi më pas parasysh se çfarë masash duhet të ndërmarrim. Të shohim nëse ka ndërtesa që duhet të prishen dhe të mos funksionojnë më si të tilla, apo ka ndërtesa që duhet t’i ristrukturojmë, restaurojmë, dhe t’i mbajmë në këmbë. Por, ky është një vlerësim që e presim të na vijë nga ekspertët, nga grupet e përbashkëta, përfaqësuesve nga institutet e ndërtimet, stafet e bashkisë, dhe stafet lokale të bashkisë”, shtoi ai.
Ndërkaq, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se duhet patur parasysh që Tirana shtrihet në një sipërfaqe prej 1200 km katrorë dhe duhet pak kohë sa të gjitha grupet e verifikimit të shkojnë në secilën prej shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.
“Nga njësia administrative janë kontaktuar të gjithë, për të pasur mundësi për t’i ndihmuar me nevojat bazike. Pra, për nevoja ushqimi, për veshje, për t’i dhënë një mundësi për të pasur një vend ku të qëndrojnë. Tani kemi mundësi që të fillojmë të bëjmë fazën tjetër të punës, që është vlerësimi i situatës dhe më pas, marrjen e masave, dhe gradualisht për riparimin e dëmeve, në mënyrë që t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit”, përfundoi Mazniku.
g.kosovari