Pas një tërmeti me magnitudë 4.5 dhe një lajmi të rremë për një tërmet më të fuqishëm mbrëmjen e së dielës, disa qytete në vend u përfshinë nga paniku.
Megjithatë, në “Dita Jonë” përgjegjësi i Departamentit të Sizmologjisë, Rexhep Koçi, është shprehur se nuk ka aspak vend për panik dhe situata pas tërmetit të së shtunës është normale.
“Ne mund t’iu themi se situata është duke u qetësuar. Nga aparaturat që ne kemi mund t’iu sigurojmë se situata sizmologjike është shumë e qetë në këto orët e fundit. Nuk ka asnjë rrezik që njerëzit të shqetësohen. Çdo ngjarje sizmike shoqërohet me pasgoditje. Po ashtu edhe tërmeti i së shtunës është shoqëruar me një numër të madh pasgoditjesh. Deri tani janë regjistruar mbi 400 ngjarje. Koha e zgjatjes së paslëkundjeve përcaktohet nga kushtet e truallit, në varësi të ngjarjes sizmike, sa e fuqishme ka qenë dhe kushteve gjeologjike që e kanë favorizuar këtë ngjarje. Dhe një tërmet me mgnitudë 5.8 mendojmë se do të ketë një periudhë më të gjatë për t’u normalizuar. Mund të zgjatin edhe 1 muaj”, tha Koçi. /l.m