Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe ndoqën nga afër situatën në terren në zonën e Kasharit, ku është raportuar për disa familje të prekura nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit.
Një prej tyre është edhe familja e Halil Sulës, shtëpia e të cilit ka pësuar disa plasaritje të rikuperueshme. Duke iu referuar pikërisht dëmeve në banesa, Veliaj theksoi se Qeveria dhe bashkia e Tiranës do të krijojnë lehtësirat e nevojshme ligjore për rikonstruksionin apo rindërtimin e banesave, për t’i ardhur në ndihmë në mënyrë konkrete familjeve të prekura.
“Si kjo shtëpi dhe si kjo situatë kemi dhjetëra në Kashar, në zonat periferike të Tiranës. Ndërkohë, në ish-komunat janë ngritur shtabet që po bëjnë verifikimet. Duam të bëjmë shpejt reklamimin e dëmit. Në bashkëpunim me qeverinë do të thjeshtojmë procedurat për lejet e ndërtimit, të heqim taksat për ata që kanë shtëpi private dhe e ndërtojnë vetë, të themi që Qeveria dhe Bashkia i bëjnë procedurat komplet minimale, vëmë një afat kohor dhe pastaj pjesën e donacionit mund ta bëjmë në natyrë, pra llaç, tulla, beton dhe e gjithë infrastruktura që duhet për të pasur një shtëpi solide, që i mbijeton tërmetit të radhës”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe i bëri thirrje të gjithë banorëve që kanë pësuar dëmtime apo kanë probleme të shkaktuara nga tërmeti, të paraqiten sa më parë pranë njësive administrative apo institucioneve të tjera të emergjencës, në mënyrë që strukturat shtetërore t’i vijnë sa më parë në ndihmë. Ai gjithashtu përkrahu propozimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për lehtësimin e procedurave ligjore dhe shmangien nga taksat e të gjithë atyre që do të rindërtojnë apo rikonstruktojnë banesat e tyre.
“Jam dakord me atë që propozoi kryetari. Besoj se qeveria brenda kësaj jave duhet, pa më të voglin diskutim, të heqë barrierat për lejet e ndërtimit për të gjitha shtëpitë që kanë pësuar dëme dhe ku vetë njerëzit duan t’i ndërtojnë. Kam parasysh jo vetëm burokracinë, letrat e me radhë, por edhe çlirimin nga taksat e infrastrukturës apo tarifat e lejes së ndërtimit, me qëllim që kjo lloj barre dhe kjo barrierë, që shpesh i ka vonuar njerëzit, të ezaurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Pa diskutim që do të duhet të ndërtojmë struktura që i rezistojnë kohës dhe fatkeqësive të tilla natyrore, si tërmetet. E kemi gjithë mundësinë tani që të ndërtojmë struktura me beton, brenda kushteve sizmike”, u shpreh Braçe. /l.m