Ministria e arsimit ka dhënë informacione rreth gjendjes së shkollave, pas tërmeteve të fuqishme në vend.
Në një njoftim për mediat, ministria sqaron se shumica e shkollave janë të paprekura, ndërsa kanë pësuar dëmtime të vogla disa shkolla në Tiranë dhe Durrës.
Dëmtimet konsistojnë kryesisht në plasaritje të lehta muresh të jashtme dhe që fatmirësisht nuk pengojnë aspak vijimin e procesit të mësimit ditën e hënë.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe të gjitha institucionet e saj të varësisë në të gjithë vendin, që në momentet e para të tërmetit janë të angazhuara plotësisht në monitorimin e situatës.
MASR nënvizon se është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e shkollave dhe zyrave vendore arsimore në të gjithë territorin.
Nga raportimi paraprak pas komunikimit me to, bëjmë me dije se deri më tani shumica e shkollave janë të paprekura fare dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje.
Ka disa shkolla me dëmtime të vogla në Tiranë dhe Durrës, të cilat konsistojnë kryesisht në plasaritje të lehta muresh të jashtme dhe që fatmirësisht nuk pengojnë aspak vijimin e procesit të mësimit ditën e hënë.
Njëkohësisht, informojmë se ekipet e ministrisë dhe të institucioneve të saj të varësisë janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Ditën e nesërme do të jenë po në terren në mënyrë që të garantojmë se secila shkollë është e sigurtë për t’u hapur të hënën për vijimin normal të mësimit.
g.kosovari