Kolegët janë në një zë sa i përket Ferizit. Ai u tregua budalla, thonë të gjithë.
Ardit Ferizi, pa dyshim, është shndërruar në hakerin më të njohur në javët e fundit, por njëkohësisht ai po cilësohet edhe si hakeri më i pakujdesshëm i të gjitha kohërave. Kështu së paku thuhet në një nga faqet më të njohura të hakerëve, për gjakovarin e njohur edhe si “Th3Dir3ctorY”.
Hakeri kosovar, Ardit Ferizi, i arrestuar në shtator nga autoritetet malajziane, kishte depërtuar në një bazë të dhënash të një kompanie amerikane, nga ku kishte siguruar informacione për rreth 100.000 persona. Të dhënat e rreth 1000 ushtarakëve dhe zyrtareve federal të SHBA-ve i kishe dorëzuar tek udhëheqësit e ISIS-it .Kosovari 20 vjeçar mund të dënohet deri në 35 vite burg për të dhënat e vjedhura, ku përfshihen emrat, e-mail adresat, fjalëkalimet, numrat e telefonit dhe vendndodhjen e anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan dhe punonjësit e qeverisë.
Pas arrestimit, ai u shndërrua në lajm ndërkombëtar dhe u bë hakeri më i lakuar anembanë botës. Por, një nga faqet më të njohura të hakerëve, gjakovarin e njohur edhe si “Th3Dir3ctorY”, po e konsideron si hakerin më të pakujdesshëm në histori. “Ferizi, ndoshta, mund të përshkruhet si hakeri më i pakujdesshëm për të cilin kemi dëgjuar ndonjëherë, për shumë arsye:
Ai e përdori emrin e tij të vërtetë në llogarinë e Twitterit.
Në vend se të përdorte mesazhe të drejtpërdrejta, ai përdorte për të komunikuar me anëtarët e ISIS-it tweet’a të hapur.
Ai kurrë nuk u përpoq ta fshehte IP adresën e tij të vërtetë”, shkruan “The Hacker News”.
Ferizi, si udhëheqës i Kosova Hacker’s Security (KHS) përdori Twiteer’in për të komunikuar me Hussain dhe një tjetër anëtar të ISIS-it, i quajtur Tariq Hamayun (Ebu Muslim el-Britani).
Për më tepër, faqja e njohur përmend se kur Ferizi hakoi në serverët e kompanisë amerikane, ishte regjistruar duke përdorur emrin e llogarisë, si “KHS”, të cilin FBI e identifikon si akronim të “Kosova Hacker’s Security”.
Ardi Ferizi kur u arrestua ndodhej në Malajzi, ku ishte duke studiuar shkencat kompjuterike në një institut privat. Tani pritet të ekstradohet në SHBA për t’u gjykuar për tri vepra penale: “Qasje e paautorizuar në kompjuter”, “Vjedhje e rendë e identitetit” dhe “Sigurim i materialit për një grup të caktuar terrorist”.
I riu nga Gjakova, i cili në qytetin e tij të lindjes njihej si “Diti”, kishte sulmuar para më shumë se një viti edhe faqen e Qeverisë së Kosovës dhe atë të Serbisë, duke e zëvendësuar përmbajtjet e këtyre faqeve me propagandë ekstremiste fetare. E cak i sulmeve të tij me të njëjtat motive kanë qenë edhe disa faqe të ndryshme dhe portale në Kosovë.