Adoleshentja që preku publikun, Elona Kuburja, mbi sëmundjen e saj të rrallë dhe pamundësisë financiare për kurim, edhe pas përpjekjeve të shumta, madje edhe me angazhimin e qeverisë për ta dërguar për kurim në Turqi, nuk mundi dot që të fitojë betejën.
Pak ditë më parë 15-vjeçarja u nda nga jeta, në një spital të Stambollit.
Ajo është përcjellë mes dhimbjes së madhe për në banesën e fundit nga familja dhe të afërmit, por përveç humbjes së saj, vuajtjet për familjen Kuburja nuk kanë të mbaruar, pasi gjendja ekonomike në të cilën ata ndodhen, është shumë e vështirë.
Madje ata kishin nxjerrë edhe banesën në shitje, për kurimin e saj, siç tregohet në foto.
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, tregoi se në ç’ kushte të vështira jeton familja e adoleshentes së ndjerë.
Drejtuesi i këtij fondacionit bëri edhe një apel për të ndihmuar familjen Koburja, të cilës i duhet një shtëpi e re për të rritur tre fëmijët e tjerë.
Statusi i plotë i Arbër Hajdarit:
“Sot përcollëm Elonën për në banesën e fundit”.
“Qofsh e parajsës engjëll i vogël. Nuk mund të rri pa thënë disa gjëra që me vranë në shpirt. Familja Kuburja, një familje punëtore, e urtë, jetojnë në zonën e Fushë Krujës. Babai i Elonës, Albani, një burrë zotni, punon aty pranë në një firmë për ti siguruar fëmijëve ushqimin.”
“Kur hyra në shtëpinë e tyre sot, në murin e shtëpisë i cili tregonte qartazi mundimin e kësaj familje për ti dalë në ballë jetës, shkruheshe SHITET SHTËPIA!”
“Familja prej disa muajsh, prej hallit të madh të vajzës kishte nxjerrë dhe këtë strehëz në shitje.”
“Më bëri përshtypje, pastërtia, midis gjithë asaj varfërie. Këto janë njerëzit punëtorë, të ndershëm të këtij vendi!”
“Humbje madhe në familjen e tyre, Elona, por familja ka dhe 3 engjëj të tjerë, ndaj sot nisëm fushatën për ti ndërtuar familjes Kuburja një shtëpi të re.”
“Bashkë jemi më të fortë, bashkë mund ti mposhtim vuajtjet. Ju lutem shpërndajeni!” /a.r