Shqipëria ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Kështu e ka cilësuar Lulzim Basha vendin gjatë Kongresit të Partive Popullore Evropiane duke paraqitur një situatë dramatike dhe të pashpresë.
Duke uruar presidentin e ri të PPE dhe duke falenderuar Joseph Daul, Basha tha se në zgjedhjet e qershorit u dhunua vota e lirë.
“Korrupsioni e ka minuar demokracinë. Një numër i madh shqiptarësh janë futur në burg si në kohën e komunizmit dhe shumë biznese janë shkatërruar. Shqipëria gjendet në një situatë të jashtëzakonshme” – tha Basha para të djathtës evropiane.
Kreu i Partisë Demokratike theksoi se politikanë të mazhorancës merren me trafik të qenieve njerëzore ndërsa nuk la pa fajësuar edhe LSI-në.
“Bizneset sulmohen nga zyrtarë të korruptuar dhe të gjitha këto lidhen me Partinë Socialiste të Edi Ramës, por edhe me partinë e Ilir Metës” – tha kreu i demokratëve shqiptarë duke kërkuar që PPE të sjellë skuadrën e saj në vend për të parë se çfarë ndodh tek ne. (a.r / javanews.al)