Ministria e Financave prezantoi një vështrim të përgjithshëm mbi të ardhurat dhe shpenzimet për periudhën janar-shtator 2015. Sipas treguesve fiskale të konsoliduar, ende paraprakë, (për arsye të njohura tashmë), ecuria e të ardhurave për periudhën është poshtë nivelit të pritshëm, sqaruan burimet zyrtare nga ministria e Financave.
Të ardhurat totale të buxhetit arritën 279 miliardë lekë, nga 285.9 miliardë lekë të parashikuar për periudhën. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, mosrealizimi është 6,9 miliardë lekë në raport me buxhetin e rishikuar. Të ardhurat tatimore janë -3.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, ndërsa ato jo-tatimore janë rreth -1.5 miliardë lekë nën parashikimin.
Deficiti në të ardhura ka suprizuar edhe me skeptikët pas aksionit antinformalitet të qeverisë që nisi në muajin shtator, me gjoba dhe sukestro masive ndaj biznesit,duke lënë zbuluar edhe qeverinë, e cila në deklaratat e mëparshme gjatë këtij muaji kishte raportuar rritje të deklarimit të xhiros me 14 miliardë lekë në shtator.
Peshën kryesore të mosrealizimit të të ardhurave tatimore e mbartin të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, më shumën prej -4.2 miliardë lekë, minusi i ardhur nga mosrealizimi i planit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prej -3.5 miliardë lekë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka një mosrealizim të planit për periudhën prej –0.6 miliardë lekë.
Të ardhurat nga Pushteti Vendor janë rreth 9.4 miliardë lekë dhe 132 milion lek më shumë se parashikimi i periudhës.
Të ardhura nga fondet speciale kanë ecuri pozitive për periudhën me rreth 52.7 miliardë lekë miliardë ose 258 milion lekë më shumë se plani i periudhës.
TË ARDHURAT DOGANORE
Taksa doganore ka performancë 6.1% më shumë se parashikimi dhe -1.2% me pak se një vit më parë. Akciza ka mosrealizim të planit prej rreth -3.3%, por krahasuar me një vit më parë ajo është rritur me rreth 0.8%. Renta minerlae ka vazhduar rënien e saj dhe është nën objektivin e periudhës me-3.8% ose -43.4% më pak se viti i kaluar.
Vazhdimi i kësaj rënie shpjegohet me vazhdimësinë e ndikimit të faktorëve të jashtëm të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit.
Të ardhurat nga TVSH
Rënia e të ardhurave nga TVSH në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e importve të cilat për periudhën nëntëmujore, importi i taksuar ka rënë me -1.5%, eksporti ka rënë me -3.5%, ku ndikim kryesor rënia e importve e të energjisë, rritje e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuar nga tvsh me 23.2 % krahasuar me një vit më parë, rritje e importit të barnave dhe arit të përjashtuar nga tvsh, me rreth 19.2% krahasuar me një vit më parë, si dhe rënia e importeve në total me -2.4% krahasuar me një vit më parë.
Në total, rënie e importeve të grup produkteve kryesore krahasuar me vitin e kaluar kanë sjellë një efekt negative në të ardhurat nga tvsh në masën 2.9 miliard lekë.
Të ardhurat nga Akciza
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 96.7% në krahasim me objektin, ose rreth minus 900 milionë lek. Në këtë mosrealizim duhet të evidentohet edhe fakti se administrata
doganore ka rimbursuar rreth 756 milion lek krahasuar me vitin e kaluar, kur kjo shumë ka qënë rreth 90 milion lekë.
Në analizë të grupprodukteve subjekt i akcizës, vërehet se të gjitha produktet kanë pasur rritje krahasuar me vitin e kaluar, me përjashtim të cigareve, importet e të cilave janë shumë më të ulta në krahasim me vitet e kaluar. Nga analiza e importeve dhe taksave përkatëse të gjithë produkteve kryesore të akcizës, konstatohet se janë rreth 709 milion më pak tvsh nga produktet e akcizës krahasuar më një vit më parë dhe rreth 1.1 miliard lek më shumë akcizë.
Për produktet e akcizës vërehet një rritje e konsumit të pothuajse të gjithë produkteve të akcizës si kafe, birrë, pije alkoolike apo verë, me përjashtim të cigareve. Megjithëse ka ulje të zhdoganimeve për karburantet gjatë 9mujorit me 5,400 ton, sasi kjo e kompensuar dhe tejkaluar me prodhimin vendas prej 17,934 ton karburant. Në total, importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, kanë një rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e kaluar.
Akciza e cigareve, megjithë rritjen e nivelit të akcizës nga 1 janar i këtij viti, vazhdon të jetë e ulët në krahasim me parashikimin për arsye të rënies së importeve, të cilat për periudhën janar –shtator 2015 janë 1,866 ton nga 2,090 ton që kanë qënë vitin e kaluar. Sasia e më e ulët e zhdoganimeve përbën edhe minusin e mosrealizimit të të ardhurave nga akciza.
Një nga faktorët që mendohet të ketë ndikuar negativisht në nivelin e sasive të importuara është rritja e kursit të USD. Kompanitë kryesore të cilat operojnë në tregun shqiptar faturojnë dhe mbajnë bilancet e tyre në USD . Ndërkohë që në vitin 2015 ka një rritje të ndjeshme të vlerës së USD, kjo vlerë nuk është pasqyruar në rritjen e çmimit final për konsumatorët, duke ndikuar vetvetiu në sasitë e importuara me synim për minimizimin e dëmeve për këto kompani.
Renta Minerale
Renta për 9-mujorin është me ulje dhe kjo si rezultat i uljes së sasisë së naftës bruto për eksport me rreth 389 mijë ton dhe rreth 2.2 miliardë lek më pak se viti i kaluar. Mbajtja e ulët e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, sipas parashikimeve të bursave, është fenomen që do të zgjasë përgjatë gjithë vitit.
Të ardhurat nga taksa doganore rezultojnë me performancë pozitive krahasuar me objektivin .
TË ARDHURAT TATIMORE
Të ardhurat nga tatimet të realizuara nga Administrata tatimore janë 84.5 miliard lekë me një rritje prej 10.9% krahasuar me vitin e kaluar ose 31.1% më shumë se viti 2013. Përkundrejt objektivit, administrata tatimore ka realizuar këtë në masën 99.2% ose rreth 300 milionë lekë më pak. Ndër zërat kryesore me performancë pozitive janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe taksa nacionale.
Tatimi mbi të ardhurat personale
Tatimi mbi të ardhurat personale është me mosrealizim kundrejt planifikimit për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit, të cilat ndikojnë në të ardhurat nga tatimi mbi interesat, si dhe dividentëve të paguar kryesisht në muajin gusht të këtij viti, pagesa të cilat ishin më të ulta se parashikimi si dhe të ardhurat e ulta nga shitja e pasurisë së paluajtshme.
ANALIZA E SHPENZIMEVE KRYESORE BUXHETORE
Realizimi me efektivitet dhe në kohë i shpenzimeve buxhetore, sipas planit të dakordësuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbetet një prioritet i qeverisë dhe gjithë institucioneve të tjera buxhetore.
Ministria e Financave ka kontribuar në lehtësimin e këtij procesi duke harmonizuar kërkesat e institucioneve buxhetore me politikën fiskale të Qeverisë.
Për periudhën Janar-Shtator 2015 Shpenzimet e Përgjithshme Publike u realizuan në masën 70 për qind të planit vjetor. Shpenzimet faktike, të krahasuara me planin e periudhës 9-mujore janë rreth 2 për qind më të ulëta, gjë që tregon një realizim mjaft të mirë dhe konsiderueshëm në përputhje me planin. Kjo ulje, kryesisht vjen si pasojë e nivelit më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale si dhe në zërin e likuidimit të detyrimeve të prapambetura. Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve.
Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për periudhën janar-shtator 2015 është konstatuar një mosrealizim në investimet me financim të huaj në nivele të konsiderueshme, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele të kënaqshme pavarsisht se jo në nivelet e dëshiruara. Ky mosrealizim i investimeve të huaja në nivelet e kërkuara, në raport me planin për programet në periudhën afatmesme ka ndodhur për shkaqe të ndryshme si, shtyrja e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit, apo edhe nga vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve.
Krahasuar me planin e parashikuar, kemi një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit, por njëkohësisht trendi më i ngadaltë i shpenzimeve të realizuara në raport me planin ka ulur konsiderueshëm deficitin buxhetor. Kjo përkthehet shumë mirë në politika të frytshme dhe të kujdesshme buxhetore nga ana e qeverisë duke rritur qëndrueshmërinë dhe ndikuar në premisat e një buxheti të konsoliduar. Monitor/