Policia e Korçës ka vënë në pranga Daniel Hykën, i cili dyshohet se është shkaktari i aksidentit në afërsi të fshatit Leshnicë, ku një person humbi jetën dhe 4 të tjerë u plagosën.
Sipas policisë, Daniel Hyka dyshohet se ka bërë parakalim të gabuar dhe për pasojë është përplasur me mjetin tip Golf, ku udhëtonte familja me 5 anëtarë nga Kamza.
Nga aksidenti mbeti i vdekur drejtuesi i mjetit, shtetasi Agron Qamo dhe u plagosën 4 te tjerë, mes tyre edhe vetë Hyka.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Golf” dhe një “Benz”, ku nga përplasja e fortë, kjo e fundit ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar e përmbysur. Viktimë mbeti drejtuesi i makinës “Golf”, Agron Qamo, 53 vjeç, baba i dy fëmijëve.
Ndërsa drejtuesi i makinës tjetër, Daniel Hyka, 32 vjeç, banues në fshatin Petrushe të Pogradecit, ka mbetur i plagosur. Të lënduar nga ky aksident kanë mbetur dhe bashkëshortja e 53- vjeçarit që humbi jetën, Fiqirete Qamo, dhe dy fëmijë të mitur, që ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Por, e rëndë paraqitet situata dhe për 44- vjeçaren Fiqerete Qamo.
Përplasja e fortë e dy automjeteve ndodhi afër fshatit Leshnicë, ndërsa makina “Golf” po udhëtonte në drejtim të Tiranës, kurse tjetra në drejtim të Korçës. Për nxjerrjen e trupave të viktimës dhe personave të plagosur nga makinat u desh ndërhyrja e banorëve të zonës dhe zjarrfikëses.
Nga hetimet paraprake të Policisë Rrugore, shkak për aksidentin e rëndë që i mori jetën 53-vjeçarit është bërë parakalimi i gabuar i drejtuesit të makinës tip “Benz”.
32-vjeçari Daniel Hyka dyshohet se ka kryer një manovër të gabuar duke tentuar që të kryejë parakalim në një kohë kur automjeti tip “Golf” po i vinte përballë. Kjo ka bërë që dy makinat të përplasen fort kokë më kokë.
/a.r