Krejt ndryshe ka nisur Kënga Magjike këtë vit në edicionin e 21-të: si një reality TV, përpara kamerave dhe gjithë shikuesve është diskutuar dhe vendosur se si do të ndryshojë festivali më i dashur i shqiptarëve, që prodhon çdo vit jo vetëm hitet e muzikës shqiptare, por edhe lajme që mbushin për muaj të tërë faqet e shtypit shqiptar.
Thembra e Akilit, mënyra e shpalljes së fituesve ka qenë ajo që ka ngjallur çdo vit debat ndaj dhe më në fund organizatorët kanë vendosur të ndryshojnë shumë rregulla. Por pa i marrë vetë vendimet, pa firmosur e vulosur vetë, në të njëjtën mënyrë ashtu si 21 vite të shkuara një grup këngëtarësh dhe muzikantësh profesionistë të mbledhur nga Ardit Gjebrea, ideatori i kësaj feste të madhe të këngës, vendosën që të ishin vetë këngëtarët ata që do të votonin njëri – tjetrin, edhe kësaj here vendimet janë marrë së bashku. Madje përpara kamerave, në një diskutim krejtësisht spontan, por që Gjebrea si gjithmonë ka ditur t’i japë edhe nota spektakli, pa e bërë kurrsesi një diskutim të mërzitshëm. Në një panel të formuar nga juria që bën çdo të dielë vlerësimin për kategorinë “New Artist,” Armend Rexhepagiq, Jonida Maliqi, Arben Skënderi, Enkel Demi si dhe çifti DJ Miss Rose dhe DJ Stone, ku është shtuar si e ftuar speciale e kësaj të diele dhe Aurela Gaçe dhe sigurisht vetë Gjebrea, është folur për këto ndryshime të domosdoshme dhe janë marrë vendimet e duhura.
Edhe pse rregullat kanë ndryshuar, sërish këngëtarët do ta votojnë njëri tjetrin. Por pikëve që do japin për kolegët (më të diskutuarat në vite, pasi linin vend për përkrahje klanesh dhe llogaritje) do u shtohen dhe ato të publikut. Dhe për të mos i lënë asnjë vend diskutimeve, juria do të votojë gjithashtu. Pra fituesi i bie të marrë bekimin e kolegëve pjesëmarrës, të jurisë dhe pastaj të mijëra e mijëra njerëzve. Më të drejtë se kaq?!