Kukësi do të ketë një ndeshje mjaft të vështirë kundër Bylisit në transfertë. Verilindorët duhet të rikthehen te fitorja pas barazimit me Laçin me rezultatin 1-1. Sfida në Ballsh pritet të jetë mjaft e vështirë, pasi optimizmi te vendasit është i madh pas fitores 0-3 ndaj Skënderbeut.
Presidenti Safet Gjici ka shpërndarë rrogat e korrikut për futbollistët e tij, ndërsa kërkon fitoren ndaj Bylisit që të kalojë dhe rrogën e gushtit. Një kusht ky nga numri një i stolit.
MUNGESAT – Trajneri Shpëtim Duro nuk e ka grupin e plotë para sfidës, pasi Valon Et’hemi është i dëmtuar dhe do të mungojë. 21-vjeçari ishte në formë të mirë, por nuk do të ndihmojë ekipin në këtë sfidë. Një tjetër emër që i bashkangjitet atij është Olsi Teqja. Mbrojtësi i qendrës u dënua nga Komisioni i Disiplinës për shkak të deklaratave të tij. Duro duhet të arnojë sërish ekipin e tij.