Vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari vijon të jetë ende e pa zbardhur. Të shumtë kanë qenë ata, të cilët kanë reaguar për këtë ngjarje, duke sjellë dhe ndarë me audiencën versionin e tyre. Por, teksa sot mbushen 21 vjet nga vrasja e ish-liderit të dhjetorit, kjo ngjarje vijon të jetë ende në qendër të vëmendjes në Shqipëri dhe jo vetëm. I pari që shprehu interes për këtë ngjarje është Kuvendi i Shqipërisë, i cili sot do të mbajë homazhe në varrin e Azem Hajdarit. Gazeta ka mësuar se grupet parlamentare të Kuvendit, nën kujdesin e kreut të këtij institucioni, Gramoz Ruçi, do të organizojnë sot homazhet në varrin e ish-deputetit, që u vra para selisë së PD-së 21 vjet më parë.
“Nesër, më datë 12 shtator, në ora 9:00, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kuvendi do të organizojë homazhe në varrin e ish deputetit Azem Hajdari, (Varrezat e Dëshmorëve)”, njoftoi Kuvendi i Shqipërisë. Mirëpo, organizimi i homazheve për ish-deputetin Hajdari, nën kujdesin e socialistëve, vjen në një moment tepër delikat, pasi jo vetëm që një aktivitet i kësaj natyre ndodh për herë të parë, por çështja “Hajdari” vijon të jetë ende në gjykatë.
I akuzuari kryesor për vrasjen e Hajdarit, Izet Haxhia u ekstradua nga Turqia dhe ka nisur betejën e tij me drejtësinë, ku përveç këmbënguljes së tij se është i pafajshëm, akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se është porositësi dhe organizatori i vrasjes së ish-deputetit Hajdari. Pra, organizimi i homazheve nga ana e Ruçit, është një sinjal i qartë për Berishën, duke i treguar se socialistët jo vetëm që nuk kanë gisht në atë ngjarje, por janë të vendosur për ta zbardhur ngjarjen.
Avokati i Haxhisë akuza Berishës
Por vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari ka shprehur edhe vetë avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri. Ka qenë avokati i zotit Haxhia, Idajet Beqiri, ai i cili e ka pohuar një gjë të tillë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokat Beqiri akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ishte organizatori i vrasjes së Hajdarit. Në këtë kontekst, zoti Beqiri theksoi se Berishës i interesonte vrasja e ish-liderit të dhjetorit, për të thelluar krizën e fituar kredo. Sipas tij, Hajdari ishte viktimë aksidentale, pasi vrasësit që qëlluan ish-deputetin kishin si target për të eliminuar Berishën dhe jo atë. “Vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari 21 vjet më parë ishte krimi më i rëndë që u porositë për të thelluar më tej krizat permanente politike anti-shtet, anti-demokraci, anti-institucione që i inicionte, i zhvillonte dhe i ekzekutonte me bashkëpunëtorët e tij Sali Berisha. Vrasësit e Azem Hajdarit nuk kishin asnjë qëllim që të vrisnin ish-deputetin Azem Hajdari. Ata erdhën pranë Selisë së PD dhe zunë prit për të vrarë Sali Berishën, të cilin e bënin përgjegjës për një sërë vrasjesh në Tropojë, në Familjen “Haklaj” dhe në gjithë Shqipërinë”, deklaroi ai.
Berisha e çoi në pritë Hajdarin
Duke u ndalur në detaje të 12 shtatorit, avokati i Izet Haxhisë zbuloi se ish-deputetin Azem Hajdari, e çoi në pritë ish-kryeministri Sali Berisha, ku për pasojë agresorët e vranë. Në këtë kontekst, zoti Beqiri theksoi se shënjestra nuk ishte Hajdari, por Berisha, ndërsa shtoi se ish-deputeti u vra, pasi doli para vrasësve me armë në dorë, veprim ky që u pa si kërcënim nga agresorët. “Ata kishin orë të tëra që qëndronin në pritë pranë Selisë së PD dhe janë vënë re për herë të parë nga mbesa e Sali Berishës, e cila dy herë brenda asaj dite i ka shkuar Berishës në zyrë dhe i ka folur me shqetësim për makinën dhe personat e armatosur brenda saj që qëndronin pranë Selisë së PD. Berisha, në vend që të njoftonte menjëherë agjencitë ligjzbatuese , thirri në zyrë Azem Hajdarin dhe duke i “mikluar” sedrën dhe “burrërinë”, e nxori atë në prit për “t’u sqaruar” me vrasësit. Gabimi fatal i Azem Hajdarit ishte sepse doli me armë në dorë dhe u drejtua nga vrasësit, duke i vënë ata në një pozitë të vështirë, pasi ata, sikurse theksuam, nuk e kishin në planin e tyre vrasjen e ish-deputetit”, nënvizoi Beqiri.
/a.r