Për Partinë Demokratike, pretenca e prokuorisë për të dënuar me 12 vjet burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri është një show.
Sekretari i PD, Gazment Bardhi i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se kryeministri Edi Rama është peng i Saimir Tahirit.
“Ne e kemi bërë të qartë dhe koha po na jep të drejtë se gjithë ai proces gjyqësor dhe sjellja e Prokurorisë me çështjen e Saimir Tahirit është një show. Pra janë në rol Saimir Tahiri, Prokuroria dhe Gjykata. Janë në të njëjtin rol, atë të mbrojtjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Pretencën 12 vjet burg nga prokuroria e shoh në të njëjtën logjikë apo linjë veprimi siç ishte edhe kërkesa për arrestim. Ju kujtoj që këtë javë kryeministri i Shqipërisë viziton Gjermaninë dhe sa herë, përpara se të vizitojë Gjermaninë, duke qenë se Gjermani e ka një nga kushtet për hapjen e negociatave procesin e rregullt dhe dënimin e zyrtarëve të përfshirë në këtë dosje, përfshirë edhe Saimir Tahirin, Edi Rama përdor prokurorinë për të bërë një lëvizje”, ka thënë Bardhi.
Ai ka vijuar më tej:
“Pak ditë përpara takimit të shkuar me kancelaren Merkel, nxiti prokurorinë të bënte gjoja sikur kërkonte arrestimin e Saimir Tahirit dhe pas takimit e pamë të gjithë se nuk ndodhi. Në të njëjtën formë po vepron edhe tani. Dua të sjell në vëmendje se të kërkosh për një person 12 vite burgim me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe personi të jetë në gjendje të lirë, kjo ndodh për herë të parë në 30 vite. Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohen 12 vite për një person, që tregon se ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, pra ka mundësi të prishë prova, dhe ai të gjykohet apo të hetohet në gjendje të lirë. Pra, e gjitha kjo është një show. E kemi thënë që në fillim, Edi Rama është peng i Saimir Tahirit, për shkak të dosjes së vëllait të tij, dosjes “Xibraka”.
/a.r