Nga Klevis Llaha
Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore po propozojnë incentiva të mëdha tatimore për të rinjtë, në përpjekje për të ndaluar daljen e punëtorëve me aftësi, të cilët i drejtohen shteteve perëndimorë të Bashkimit Europian. Fenomeni i quajtur “brain drain”, apo largimi i trurit, po bllokon perspektivat ekonomike për disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore, ndërkohë që të rinjtë zënë pjesën më të madhe në lirinë e lëvizjes të Bashkimit Europian, që kërkojnë për vende pune me pagë më të mirë. Largimi i trurit apo punëtorëve të rinj me aftësi, ka bërë që Qeveria e Polonisë të heqë plotësisht tatimit mbi të ardhurat për rreth 2 milionë punëtorë të rinj.
Ligji i ri, që hyri në fuqi në fillim të muajit Gusht, projektohet të përmbaje fluksin dalës të polakëve të rinj si dhe të sjellë rikthimin e tyre. Ndërsa mbështeste ligjin në parlament, Kryeministri Mateusz Morawiecki tha se 1.7 milionë njerëz janë larguar nga Polonia në 15 vitet e fundit. “Është si të jetë larguar i gjithë qyteti i Varshavës”, tha Kryeministri Morawiecki në Parlament, duke përshkruar rënien demografike si një nga sfidat kryesore për vendin, që sjell humbje të mëdha ekonomike.
Dyshime për këto masa
Për të ndaluar këtë fenomen, qytetarët polak nën moshën e 26-vjeçëve, që fitojnë më pak se 22,200 dollarë në vit, do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat. Paga mesatare arrin në rreth 15,500 dollarë, çka nënkupton se kufiri është relativisht i lartë për të rinjtë në Poloni. Ndërkohë, Kroacia ka propozuar gjithashtu heqjen e taksës ndaj të ardhurave për personat deri në 25-vjeç, si dhe ta përgjysmojë për ata që bëjnë pjesë në grupmoshën 25-30 vjeç.
Këto propozime në Kroaci pritet të përfundojnë në muajt e ardhshëm dhe ligji i ri pritet të bëhet efektiv nga data 1 Janar 2020. Megjithatë, shumë analistë kanë shprehur dyshime të forta mbi efektivitetin e këtyre masave lehtësuese tatimore, në parandalimin e largimit të punëtorëve të rinj.
Tkurrja e Fuqisë Punëtore
Sipas “The Economist Intelligence Unit”, që është pjesë e grupit “The Economist”, problemi themelor është se ndërsa këto masa popullore kanë qëllim të mirë, ato dështojnë të trajtojnë rrënjën e problemi që sjell fenomenin “brain drain”.
Analistët e grupit thonë se lehtësimet tatimore për personat e rinj në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore janë propozuar për të përmbysur tkurrjen e fuqisë punëtore, diçka që me shumë mundësi do të kthehet në pengesat më të mëdha ekonomike në rajon.
Rënia e normës së lindjeve, rritja e numrit të personave që largohen nga vendi si dhe kundërshtimi i Qeverisë për të lejuar emigrantët që t’i bashkohen tregut të punës, kanë përkeqësuar koeficentin e varësisë në këto vende. Situata nuk pritet të përmirësohet në të ardhmen. Sipas analistëve, kjo do të nisë të ndikojë në balancën fiskale dhe rritjen ekonomike, kështu që pariteti me perëndimin nuk është i mundur dhe s’ka për të ndodhur kurrë.
Largimi i trurit mund të mos lidhet me pagën
Sipas një raporti të Komisionit Europian, të titulluar “Trajtimi i Largimit të Trurit: Dimensioni Lokal dhe Rajonal”, në vitin 2017, 17 milionë njerëz në Bashkimin Europian janë zhvendosur në një shtet tjetër brenda unionit. Raporti tregon se prej këtyre, 32% i përkisnin grupmoshës 15-34 vjeç. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar cilësohet se janë 2 destinacionet kryesore për punëtorët e rinj europianë.
Ndërkohë, shtetet kryesore të origjinës zbulohet se janë Rumania, Polonia, Italia dhe Portugalia. Europianët me edukim të lartë që largohen, tentojnë të pëlqejnë zonat urbane dhe veriore të Bashkimit Europian, të tilla si Suedia, Irlanda, Estonia, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar. Sipas Raportit, këto tentojnë gjithashtu t’i drejtohen vendeve që kanë norma shumë të larta të punësimit. Sipas analistëve, ky fenomen nuk është thjeshtë një “diferencial” i pagës.
Njerëzit e rinj mund të kërkojnë largimin nga vendi për një eksperiencë të re kulturore ose për shkak se nuk e shohin ndonjë të ardhme në terma afat-gjatë në shtëpinë e tyre. Zgjidhjet politike që po propozohen nuk trajtojnë medoemos çështjen e largimit të fuqisë punëtore.(scan)