Situata është e disi paqëndrueshme në fund të gushtit, midis ndeshjeve të para të kampionateve respektive dhe merkatos ende të hapur. Sidoqoftë, në “Allianz Stadium”, mbrëmjen e kësaj të shtune, nga ora 20:45, gjërat do të jenë tejet serioze. Në fakt, aty do të luhet një “finale e parakohshme” për Serie A, mes kampionëve dhe nënkampionëve të Italisë. Juventusi përballë Napolit, si për të testuar shumë herët pritshmëritë në lidhje me titullin. Kampionët bardhezinj në tetë vitet e fundit radhazi duhet të mbrojnë fronin nga Napoli dhe Interi. Kjo është arsyeja pse sfida e sotme, edhe pse e parakohshme, është e shumëpritur.
Sidoqoftë, Juventusi do të duhet të bëjë pa Giorgio Chiellini. Kapiteni u godit dje nga një dëmtim, duhet t’i nënshtrohet operacionit në ligamentin e gjurit, ndaj do të qëndrojë larg fushave të blerta për të paktën 4-5 muaj. Në vend të tij, pra, në qendër të mbrojtjes së Juventusit do të debutojë në kampionat De Ligt, përkrah Bonucci. Për pjesën tjetër të formacionit, Sarri duket se është i prirur të konfirmojë skuadrën fituese në Parma. Pra, Matuidi do të preferohet para Rabiot në mesfushë, ndërsa një ish i Napolit, Higuain, është përpara në balotazhin me Dybala.
Mungesa e madhe në Juventus-Napoli do të jetë Maurizio Sarri. Ish-trajneri i Napolit, për shkak të pasojave të pneumonisë, nuk do të ulet në stolin bardhezi sonte, por do ta përcjellë sfidën nga një dhomë e rezervuar për të në tribunën e stadiumit. Ancelotti shfaqet në Torino pa Milik, madje as nuk e grumbullon sulmuesin në fjalë. Gjasat janë që të hedhë në fushë menjëherë Lozano, përforcimin e fundit, edhe pse si zëvendësues. Pra, edhe meksikani pritet të debutojë në Serie A sonte.
Të gjithë po presin Fernando Llorente, ish-sulmuesin e Juventusit, i cili do të nënshkruajë me Napolin në orët e ardhshme. Në krahasim me fitoren bombastike të Firences, në javën e parë të Serie A, Ancelotti duhet të përfshijë Maksimovic në të djathtë të mbrojtjes, ndërsa Ghoulam preferohet para Mario Rui në anën tjetër të prapavijës. Të konfirmuar në mesfushë dhe në sulm janë: Callejon, Fabian Ruiz dhe Insigne, që do të veprojnë pas Mertens.
Formacionet e mundshme:
JUVENTUS (4-3-3): Szczesny; De Sciglio, Bonucci, De Ligt, A. Sandro; Khedira, Pjanic, Matuidi; Douglas Costa, Higuain, C. Ronaldo.
NAPOLI (4-2-3-1): Meret; Maksimovic, Manolas, Koulibaly, Ghoulam; Allan, Zielinski; Callejon, Fabian Ruiz, Insigne; Mertens./ telesport.al
g.kosovari