Temperaturat e larta gjatë sezonit të verës riskojnë shëndetin e lëkurës. Nëse nuk tregoheni të kujdesshëm ndaj rrezeve të forta të diellit, fytyra juaj nuk do të jetë më e butë dhe do i afroheni më shpejt plakjes.
“Nëse nuk mbrohesh nga dielli mund të shkaktohet thellimi i rrudhave, një plakje e parakohshme e lëkurës apo mund të shkaktohet një infektim i lëkurës pasi për shkak të temperaturave të larta rritet prodhimi i yndyrës dhe mund të shkaktojnë e akne të vogla”, shprehet Denisa Kaçiu, specialiste në dermatologjinë estetike.
Për ta ruajtur veten, ju që jeni me pushime apo ju të tjerët që nuk keni shkuar akoma, duhet të merrni parasysh këto këshilla.
“Patjetër me vete në plazh, në radhë të parë duhet kremi i diellit, është më i domosdoshmi. Mirë është që lëkura të mbrohet çdo dy ose tre orë, të vendoset kremi I diellit, të shplahet dhe të vendoset prapë. Kremi I diellit të jetë 50 sfp, si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit. Mundësisht të jenë linja mjekësore që mund të shiten edhe në farmaci dhe jo vetëm produkte kozmetike”, shton më tej Kaçiu.
Ndërsa ju që jeni kthyer nga pushimet, duhet të vijoni kujdesin ndaj lëkurës që të keni një fytyrë të pastër. I nevojshëm është hidratimi i lëkurës dhe një terapi mjekësore pranë dermatologëve.
“Pas plazhit rëra, pluhuri uji i detit çdo gjë e mundshme bën që të krijohen qelizat e vdekura. Mirë është që këto qeliza të vdekura ti heqim duke përdorur scrube të lehta, apo maska hidratuese pse jo edhe në kushte shtëpie, mund të jetë baza kosi apo kastraveci. Pra maska freskuese”, përfundon dermatologia. /l.m