Ashtu siç Byroja Kombëtare e Hetimit është projektuar e ngjashme me FBI-në, edhe hetuesit e Byrosë duhet të jenë të trajnuar dhe të përgatitur si agjentët e Byrosë Federale të Hetimit. Hetuesit e BKH duhet t’u përgjigjen pritshmërive të shqiptarëve dhe ndërkombëtare për shembjen e murit të pandeshkueshmërisë në Shqipëri, duke kopsitur dosjet për kokat e krimit dhe korrupsionit, për llogari të Prokurorisë së Posaçme. Në këtë kuadër, ligji për SPAK-un ka parashikuar që një kandidat për t’u bërë hetues i BKH duhet t’i nënshtrohet një regjimi të rreptë trajnimi dhe arsimimi, në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përfshihen një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar. Ashtu siç operohet gjatë rekrutimin e agjentëve të FBI-së, edhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të jenë jo vetëm aftë për hetime, por edhe të fortë fizikisht. Kandidatët do t’i nënshtrohen një provimi me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Më pas, do t’i nënshtrohen një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit. Gjithashtu ata do të zhvillojnë një intervistë me gojë para një komisioni që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë. Kandidatët për hetues të Byrosë do t’i nënshtrohen edhe një testimi të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike. Gjithashtu, kandidatët do t’i nënshtrohen edhe një hetimit mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar, nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale, ka ose jo kontakte të përshtatshme etj.
Makina e së vërtetës
Kandidatët për t’u bërë hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të duhet t’i nënshtrohen testit të poligrafit, i quajtur ndryshe makina e së vërtetës, rreth integritetit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit. Testi i poligrafit bazohet mbi faktin se gënjeshtra provokon përgjithësisht ankth, që nga ana e tij modifikon parametrat fiziologjike, si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, ritmi i frymëmarrjes e deri tek rezistenca e ndryshuar e lëkurës ndaj përcjelljes se rrymës elektrike. Që në vitin 1913 është ndërtuar një makinë e tillë, e cila ishte në gjendje që të gjitha këto parametra t’i përmblidhte në një raport grafik. Ndërkaq, sipas ligjit, hetuesit e Byrosë do të duhet t’i nënshtrohet testit të poligrafit jo vetëm para emërimit, por çdo dy vjet.
Si bëhet emërimi
Formimi i Prokurorisë së Posaçme është përcaktuese për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila është një strukturë e specializuar, e ngjashme, por me më shumë kompetenca se sa Policia Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës, ndërsa vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Fillimisht, një komision përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kandidati emërohet në krye të Byrosë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Pas emërimit, drejtori i Byrosë së Hetimit do të hartojë një rregullore për procesin e rekrutimit të hetuesve të Byrosë së Hetimit, bazuar në kriteret e përgjithshme dhe specifike të parashikuara në ligjin për SPAK-un. Emërimi i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit bëhet nga drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, por vetëm pasi të ketë përfunduar trajnimin përkatës dhe të ketë shfaqur aftësitë, që garantojnë kryerjen e detyrave sipas standardeve të kërkuara profesionale.
Vëzhgimi i hetuesve të Byrosë
Hetuesit e Byrosë së Hetimit do t’i nënshtrohen një kontrolli të shumëfishtë, ku përfshihen telekomunikimet, takimet e dyshimta dhe lëvizjet e parave. Dy hetues emërohen me short për një mandat gjashtëmujor si oficerë përgjegjës për monitorimin. Njëri oficer kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve, ndërsa tjetri kontrollon vëzhgimin periodik të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm. Prokurori i posaçëm i gatshëm drejton, kontrollon dhe monitoron oficerët përgjegjës në detyrë. Ndërsa oficerët përgjegjës raportojnë çdo informacion që ngre dyshime të arsyeshme për veprimtari korruptive apo kriminale te prokurori i posaçëm i gatshëm. Monitorimit i nënshtrohen edhe familjarët e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kompetencat e Byrosë së Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit funksion nën drejtimin dhe për llogari të Prokurorisë së Posaçme, e cila referon dosjet për gjykim në Gjykatën Speciale. Byroja nuk merr vendime dhe as nuk ndjek penalisht, por vetëm përgatit dosjet për Prokurorinë e Posaçme, duke bërë gati fashikuj, zbardhur përgjime, vëzhguar persona, shqyrtuar dokumentacion dhe zbatuar metoda të posaçme hetimore. Objekti i Byrosë së Hetimit është hetimi i çdo vepre të mundshme penale e konsumuar nga Presidenti i Republikës dhe ish-presidentët, nga kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetarët e Kuvendit, nga kryeministri dhe ish-kryeministrat, nga ministrat dhe ish-ministrat, nga gjyqtarët dhe ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nga kryeprokurori dhe ish-kryeprokurorët, nga deputetët dhe ish-deputetët, nga kryebashkiakët dhe ish-kryebashkiakët, nga zëvendësministrat dhe zëvendësministrat, nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga drejtuesit e institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj. Pushtetarët dhe ish-pushtetarët e sipërpërmendur mund të merren nën hetim për të çdo vepër të dyshuar penale, e kryer në çdo kohë, por me kusht që të mos jetë parashkruar, në bazë të parashikimeve të legjislacionit penal. Po ashtu, në kompetencë të hetuesve të Byrosë së Hetimit do të jenë edhe 18 vepra penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Kushdo që dyshohet se ka kryer një nga këto 18 vepra penale do të jetë objekt i SPAK-u. Fillimisht, Kushtetuta e ndryshuar, ligji për SPAK-un dhe Kodi i Procedurës Penale parashikonin 40 vepra penale në kompetencë të organeve të SPAK-ut. Por, me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në janar të 2017, 33 vepra penale i janë hequr si objekt i veprimtarisë së SPAK-ut, ndërsa u shtuan 11 të tjera. Kryesisht në kompetencë të hetuesve të Byrosë së Hetimit janë të gjitha veprat penale të korrupsionit.
Përgatitja
Ashtu siç operohet gjatë rekrutimin e agjentëve të FBI-së, edhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të jenë jo vetëm aftë për hetime, por edhe të fortë fizikisht.
Vëzhgimi
Hetuesit e Byrosë së Hetimit do t’i nënshtrohen një kontrolli të shumëfishtë, ku përfshihen telekomunikimet, takimet e dyshimta dhe lëvizjet e parave.
Kriteret për t’u bërë hetues i BKH
Është shtetas shqiptar;
Ka arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj;
Ka një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Të ketë plotësuar me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit për Byronë Kombëtare të Hetimit./shqiptarja.com
g.kosovari