Nga Lorenc Vangjeli
Etilda Gjoni i ka të gjitha kredencialete mundshme për të qenë në qendër të vëmendjes. Eshtë e re, simpatike dhe në karrierë politike. Kjo trio cilësish, në një shoqëri maskilite e seksite si shoqëria shqiptare, është arsye e mjaftueshme që emri i saj të ngjallë kuriozitet, të thithë simpati nga një pjesë dhe natyrisht, të tërheqë edhe shumë antipati nga një pjesë tjetër e publikut. Tifozëria politike që dashuron dhe urren pa kushte dhe plot zhurmë, është normalitet në Tiranë. Prej fundjavës së shkuar, kjo rrotë e dhëmbëzuar dashuri-urrejtje, u vu në lëvizje dhe ministri i drejtësisë përfundoi në qendër të vëmendjes publike. Arsyeja ishte e mjaftë për të justifikuar zhurmën: shpenzime shproporcionale në udhëtimet zyrtare jashtë shtetit të ministrit të drejtësisë. Ajo akuzohej se kishte fjetur si princeshë duke shkelur në fondet sa një kokër bizele të shtetit shqiptar.
Fakti u zbulua nga emailkëmbimi mes një medieje dhe zyrtarëve përgjegjës të ministrisë, që në emër të transparencës – dhe bënë mjaft mirë – vunë në dispozicion gjithë dokumentacionin e udhëtimeve zyrtare. Pa sqaruar detajet e tyre dhe pa kuptuar se vetë detajet e pasqaruara, janë shtëpia e preferuar e djallit.
Guri i akuzës u hodh në ajër dhe kaq mjaftoi që gjithkush, kryesisht ata që pozojnë sikur jetojnë në qiell si hyjnitë dhe në lartësi të paarritshme morali hyjnor, të hedhin gurë të tjerë mbi mëkataren e supozuar. Në një vend ku sharrja ngjit më shumë se lëvdata, ku gënjeshtra shkëlqen më fort se e vërteta, ku zëri i lartë është argument më i plotë se heshtja, ku qimja e tjetrit peshon më shumë se trari vetjak, edhe vetë ministri Etilda Gjonaj me shpjegimin e saj emocional, vartësit e saj të paaftë dhe mbrojtësit e versionit të saj në media, duket se patën probleme në betejën mediatike.
Edhe për shkak nevojës për vëmendje dhe epërsi të “Macho Man”-ve melankolikë e vanitozë në Tiranë, Etilda Gjonaj duket se mund të jetë viktima perfekte e tyre dhe tema e duhur për debat në ditët kur Tirana gogësin nga vapa, kur rrobat e banjos janë kostumi i ditës tipike dhe kur dashuria dhe urrejtja pa kushte, herë për princat e herë për bizelet nën princesha, janë një mall konsumi që pështyhet si mërzia në vapë.
Por kaq sa ka ndodhur është vetëm fillimi. Kush e shpjegon gjithë këtë zhurmë shproporcionale me atë që ka ndodhur, harron të gjykojë mbi thelbin e mbetur në errësirë dhe nuk ka hemoglobinën e duhur për të shndërruar urrejtjen në hekur.
Sulmi mediatik i fundgushtit është vetëm paradhënie për atë që do të fillojë të ndodhë në vjeshtë me ministrin e drejtësisë. Që shumë më shumë se grua e brishtë dhe e dhuruar në karrierë, po synon triumfin e ligjit aty ku burra të fortë kanë dështuar para saj.
Ky nuk është një opinion.
Eshtë një fakt dhe një informacion që do të vërtetohet.
Atëherë, me të gjitha gjasat, lapsat do të bëhen heshta, heshtat do të bëhen kallashnikovë dhe kallashnikovët do të bëhen bomba që do të shpërthejnë mbi ministrin e drejtësisë, i cili ka dhënë dhe vetë sinjale se çfarë po përgatitet të ndodhë. Ndoshta as Gjonaj vetë ndoshta nuk e ka kuptuar thellësinë dhe rëndesën e asaj që pritet të ndodhë dhe as komentuesit plot zell të dhomave me errësirë të hotelit dhe çarçafeve me shkëlqim mëndafshi, nuk e kanë kuptuar që zgjimi me akth azmatiku po ndodh krejtësisht gjetkë. Dhe krejtësisht për motive të tjera.
Zakonisht, për të kuptuar të ardhmen, duhet njohur e shkuara. Kësaj here, për të kuptuar çfarë po ndodh sot, duhet mësuar se çfarë pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Kush është duke folur në telefon pranë burgut tek ish-stacioni i trenit në Tiranë, do të shohë që telefonata do t’i ndërpritet. Nuk e ka fajin telefoni i tij apo shoqëria celulare. Ndodh sepse prej ditësh në ambientet e burgut është instaluar një bllokues valësh celulari. Që në fakt është një akt që ndalon të dënuarit dhe të paraburgosurit të përdorin telefonin e rrjetet sociale. Telefonat i ka në lejuar ata deri më tani, të shmangin izolimin nga shoqëria. Nëpërmjet telefonave dhe rrjeteve sociale shumë nga ta kanë vazhduar aktivitetin kriminal njëlloj siç kanë bërë kur kanë qenë në liri. Celularët kanë qenë të ndaluar gjithmonë në burgje, por ndalesa synohej të realizohej me forcë, me dhunë dhe me egërsi. Zakonisht në rrjetën e kontrolleve policore, për statistikë, binin vetëm fakirët, kurse “kasta VIP” në burgje, ishte në gjendje të blinte gjithçka. Ka mjaftuar, pra, bllokuesi i valëve telefonike në burg – do të shtrihet në gjithë sistemin e vuajtjes së dënimit – që çdo smartphone apo tablet i futur në burg, të shndërrohet në një mobilje që nuk i hyn në punë askujt.
Ka dhe shumë më keq. Nga vjeshta, siç është paralajmëruar, do të nisë zbatimi i ligjit të famshëm 41 Bis. Kush fle në shtëpinë e tij, kush e gdhin edhe nëpër hostele e motele apo dremit në hotele, e ka të pamundur të kuptojë se çfarë do të thotë ky regjim i ri izolimi për njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit. Ky është një tmerr i projektuar, një lloj hakmarjeje parandaluese e shoqërisë që ka dështuar në shumë vende ku është tentuar të bëhet dhe që në Shqipëri po premtohet të dizejnohet si një jetë ferri për disa kategori të dënuarish. Natyrisht që ata e shohin ministrin e drejtësisë si njeriun që do t’jua bëjë real këtë makth. Natyrisht që do tentojnë të hakmeren mbi të. Shto këtu një rrebesh që po planifikohet të bëhet për drejtuesit e burgjeve dhe ja tek nis e plotësohet “Puzzle” i armiqësisë së re në Tiranë dhe arsyeve se pse më e keqja e betejës mediatike për Etildën ende nuk ka ardhur.
Kush ka dyshime për këtë pohim, le të kontrollojë listat e personazheve që vizitojnë ambientet e burgjeve shqiptare. Do të shohë emra mjaft të njohur në Tiranë që hyjnë si vizitorë në qelitë e njerëzve shumë të njohur të botës së krimit; do të shohë sesi lihet peng liria e të folurit tek pengjet e drejtësisë që ndodhen në qeli.
Krimi ka para. Krimi paguan. Krimi di dhe si të hakmeret. Edhe kur një gjë të tillë e bëjnë edhe ata që nuk kuptojnë se cfarë bëjnë, por shkojnë mbas zbulimit të sipërfaqes: 700 euro hoteli.
Po në vjeshtë, një kategori shumë specifike e shoqërisë shqiptare, do të hyjë në sitë nga strukturat e ministrisë së drejtësisë. Në një vend ku është shpesh shumë e nevojshme të noterizohet edhe mashtrimi, noterët janë një pikë e një rëndësie të posaçme në ngrehinat e mashtrimit që ngrihen aty-këtu. Një vetting i planifikuar mbi këtë trupë, i ka të gjitha gjasat të prodhojë një fashë të re armiqësie mbi ministrin e drejtësisë.
Kaq është e mjaftë për të kuptuar se gjithë çfarë ndodhi në këtë fund gushti, mbas një investigimi gazetaresk që nuk ishte investigim, është vetëm fillimi i asaj që pritet të ndodhë në vjeshtë. Se në krahasim me vjeshtën dramatike, kjo stuhi vere mbi ministrin e drejtësisë, është vetëm një ankth i vogël vape.
Nëse ky parashikim i sotëm për të ardhmen do të verifikohet në praktikë, atëherë e gjithë kjo luftë ja vlen të luftohet. Lufta e këtij lloji dhe jo paqja është edhe më interesante se vendosja e syrit në vrimën e çelësit të hoteleve të botës. Edhe nëse aty fle Etilda që i ka të gjitha kredencialet për të qenë nën vëmendjen e moralistëve. Ajo duhet t’u përgjigjet edhe skeptikëve që kanë të drejtë ta pyesin se pse ajo u zgjodh në atë detyrë, ajo duhet të sqarojë deri në fund të vërtetën e saj për faturat e udhëtimeve, edhe të shpjegojë sa shanse ka të triumfojë aty ku shumë burra përpara saj kanë dështuar.
Pjesa tjetër është histori vape. Eshtë thashethem plazhi. Eshtë snobizëm i panevojshëm e vanitet, në rastin më të keq apo pakujdesi e të tjerëve, e cila duhet verifikuar deri në fund e me emra fajtorësh nëse ka. Sepse në thelb gjithë pjesa tjetër e historisë është si alarmi moral i atyre zonjave me geta rrjetë dhe minifund, që vetë jetojnë në hotele me orë, por skandalizohen me atë gjimnazisten që lejoi shokun e bankës t’i prekë pak gjurin.