Nga Eduard Zaloshnja
Një postimi publik të Neritan Sejaminit mbi “bijtë e etërve”, analisti Agron Gjekmarkaj iu përgjigj me një shkrim në gazetën “Panorama”. Sejamini mbrojti tezën se anatemimi i politikanëve të sotëm, për faktin se baballarët e tyre mund të kenë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste, është një koncept totalitaro-komunist. Në kohën e diktaturës komuniste, argumentoi Sejamini, në qoftë se babai trajtohej si “armik”, ashtu trajtoheshin edhe fëmijët e tij të pafajshëm, madje edhe i gjithë farefisi.
Nga ana e tij, Gjekmarkaj, me sarkazmën karakteristike fishtiane, iu përgjigj Sejaminit se partitë në demokraci kanë edhe një vektor identitar përkatësie. Pa u futur në numra, të cilat nuk janë zeje e tij, Gjekmarkaj theksoi se elektorati i djathtë (i përndjekur gjatë diktaturës komuniste) e ka ndjerë veten të përfaqësuar nga PD-ja, deri sa pa marrë Basha frenat e saj në dorë. Avokati i Familjes Hoxha nuk mund të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ‘këlthet’ Gjekmarkaj në shkrimin e tij.
Por le ta ndihmojmë me numra këtë debat fjalësh…
Fillimet
Kur PD-ja fitoi zgjedhjet për herë të parë (në vitin e largët 1992), për të votuan 1 milion e 60 mijë zgjedhës nga 1.6 milion pjesëmarrës . Në fillim të viteve ’90, nuk zhvilloheshin sondazhe, por mund të thuhet pa frikë se shumica dërrmuese e të persekutuarve dhe të shpronësuarve prej regjimit komunist votuan atëherë për PD-në.
Me kalimin e viteve, votat për PD-në pësuan firo të vazhdueshme. Pavarësisht mungesës së sondazheve, mund të thuhet se kjo firo ndodhi edhe pse PD-ja, dalëngadalë, e humbi mbështetjen e të persekutuarve dhe të shpronësuarve prej regjimit komunist. Le të kujtojmë se në vitin 1994, vetëm dy vjet pas ardhjes së PD-së në pushtet, kjo shtresë zhvilloi një grevë urie, e cila u shpërnda me dhunë nga shteti i drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha.
Në ditët e sotme
Dhe vijmë në ditët e sotme, kur sondazhet janë bërë pjesë e natyrshme e jetës publike.
Nga një sondazh që zhvillova para disa vjetësh për fondacionin e djathtë gjerman Konrad Adenauer, rezultoi se 30% e zgjedhësve shqiptarë me banim në Shqipëri janë nga familje që u persekutuan prej regjimit komunist për shkaqe politike ose pronësie (çereku i tyre janë nga familje që kanë patur fillimisht raporte të mira me regjimin komunist, por më vonë u persekutuan prej tij). Duke e përkthyer përqindjen e mësipërme në numra zgjedhësish (shihni Tabelën 1), mund të thuhet se rreth 630 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri i përkasin kësaj shtrese (s’mund ta dimë se sa jetojnë jashtë vendit).
Tabela 1. Prejardhja e zgjedhësve me banim në Shqipëri
Ish të persekutuar | 630,000 |
Jo të persekutuar | 1,470,000 |
Gjithsej zgjedhës në Shqipëri | 2,100,000 |
Dhe sa prej këtyre zgjedhësve votuan në 2013-ën (kur PD humbi pushtetin) për partitë që e mbajnë veten për të djathta?
Nga sondazhi i sipërcituar, rezultonte se gjysma e tyre, rreth 330 mijë, votuan për këto parti në zgjedhjet e para 6 vjetëve, rreth 120 mijë votuan për koalicionin e majtë dhe 210 mijë nuk morën fare pjesë në votim (shihni Tabelën 2).
Tabela 2. Si votuan ish të persekutuarit me banim në Shqipëri në vitin 2013
Djathtas | 320,000 |
Majtas | 110,000 |
S’votuan | 200,000 |
Zgjedhës ish të persekutuar | 630,000 |
Janë pikërisht mospjesëmarrësit e 2013-ës (200 mijë), që mund të konsiderohen si zgjedhës të djathtë të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura ndër vite të partive që pretendojnë se janë të djathta.
Teorikisht, ky 200-mijësh përbënte një rezervuar të mundshëm të votave për PD-në në zgjedhjet e 2017-ës. Por rezultati tragjik i atyre zgjedhjeve, sidomos në zonat urbane (ku jeton shumica dërrmuese e ish të persekuturave), tregoi se pati një korrelacion të fortë mes rënies së numrit të pjesmarrësve dhe rënies së PD-së, në krahasim me 2013-ën.
Sa më sipër shërben si indicie se 200 mijë ish të persekutuarve që nuk votuan për PD-në para 6 vjetësh u janë shtuar edhe shumë të tjerë. Me gjasa, sot mund të jenë bërë 300 mijë.
Që PD-ja të bëhet sërish një parti konkurruese për pushtet, duhet t’i bindë këta qindra mijëra ish votues natyralë të saj të rikthehen në kutitë e votimit. Më poshtë janë disa pika programore, që PD-ja, si një parti e madhe, mund t’i ketë si busull të saj për të ardhmen:
DEKOMUNISTIZIMI – Ndërmarrja e iniciativave ligjore për dënimin dhe korrigjimin e krimeve komuniste, heqjen e titujve dhe dekoratave të diktatorit komunist, nomenklaturës së lartë si dhe të gjithë shpurës të sigurimit të shtetit, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në lidhje me lustracionin.
MUZEALIZIMI , KURRIKULAT SHKOLLOR dhe VLERSIMEVE HISTORIKE – Krijimi i muzeve të kujtesës në vendet e vuajtjes, ballafaqimi i nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si me anë të eskursioneve, ndërtimin e memorialit Kombëtar të Kujtesës në Tiranë së bashku me murin e Nderit, përmbyllja e plagës së gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit dhe martirëve të lirisë, caktimin e një date përkujtimore, ku i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare në mënyrë solemne të nderojë e respektojë viktimat e regjimit komunist si dhe martirëve të lirisë.
REHABILITIMI – Përmirësime gjithëpërfshirëse të ligjit të cungët të dëmshpërblimit (përfshirja e dosjeve jashtë afatit, zgjerimi i datës nga 9 nëntor ’41, përfitimi i dëmshpërblimit të internuarve, mos-zbritja nga dëmshpërblimi i vlerës së shtëpive të privatizuara dhe e letrave me vlere, konvertimi në vlera monetare ose asete të letrave me vlerë), përcaktimi i kuotës (15% – 20% të përcaktuara me ligj në programet e punësimit, strehimit dhe arsimit,pension nderi, personave të burgosur politikë dhe të internuar)
PRONA – Rivendosja e të Drejtës Kushtetuese e shtetasve mbi pronën e mohuar dhe të grabitur nga shteti diktatorial, duke i kthyer pronën subjekteve të shpronësuara në zbatim të nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës duke eliminuar pasigurinë e titujve të pronësisë dhe faturën financiare që imponon legjislacioni aktual si dhe duke mbyllur konfliktet ndërmjet familjeve dhe hequr perfundimisht pengesat për investimet e huaja private, me qëllim realizimin e stabilitetit social dhe ekonomik.
DIASPORA – Krijimin e një fondi dhe banke investimesh për diasporën (aksesi prioritar i diasporës që disponon knoë-hoë dhe mjete financiare në ekonominë e vendit, si psh: projekte me partneritet të bizneseve të diasporës në turizëm, infrastrukturë, bujqësi, energji, industri dhe shërbime), si dhe propozimi i nje kuote fikse (jo me pak se 5%) për përfaqësimin e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.
SHTETI LIGJOR – Mbështeje e fuqishme e Vetingut dhe e të gjithë paketës së reformës në Drejtësi, sipas kërkesave të partnereve tanë strategjike (SHBA dhe BE), si kusht themeltar për mirëfunksionimin e shtetit ligjor në shërbim të interesave të publikut./ real story