Dy prej punëtorëve në vilën e familjes Kusi ku u vra tre ditë më parë 26 vjeçarit Indrit Çelaj kanë zbardhur detaje se si një vrimë për shkarkimin e tubit të kondicionerit përfundoi në vrasje.
Sipas News 24, i cili ka zbardhur dëshmitë e punëtorëve të vilës, ngjarja ka ndodhur në një nga tualetet e katit të parë të ndërtesës, e cila po ndërtohej në zonën e “Myslim Shyrit” në Tiranë.
Sipas punëtorëve, në në vilë erdhi Griseldo Kusi, djali i pronarit, për të kontrolluar punimet.
“Kur na përshëndeti, dëgjoi një zhurmë. Eldo lëvizi dhe u bë nervoz. Shkoi të dëgjonte zhurmë dhe filloi të bërtiste me Indritin. Dëgjuam ti thoshte po këtu çfarë po bëhet. Përse po e hap atë vrimë. Ku do e çosh shkarkimin e kondicionerit. Në përgjigje, Çelaj ka thënë se nuk e di unë ku do jetë shkarkimi”, mësohet të kenë thënë punëtorët në dëshminë e tyre.
Pas kësaj, Griseldo Kusi ka nxjerrë armën nga brezi dhe qëlluar me një plumb në kokë të riun, duke i shkaktuar rënien në koma dhe më pas vdekjen në spital. Sipas punëtorëve, Eldo u largua me nxitim, ndërsa në dorë mbante një çantë.