Gjykata e Tiranës ka lënë në burg tre nga katër të arrestuarit për vrasjen e të riut Indrit Çelaj, tri ditë më parë në kryeqytet.
Prapa hekurave mbeten shtetasit Bujar Kusi, babai i autorëve të ngjarjes, Ferdinand Bakalli dhe Ali Sula, ndërkohë që për të arrestuarin tjetër, Luan Caka është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kusi dhe Bakalli akuzohem për “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë, Luan Caka dhe Ali Sula, për “Mos kallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.
Krimi i rëndë ndodhi tri ditë më parë, kur vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi, qëlluan me plumb në kokë 26 vjeçarin Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri në vilën e tyre që po ndërtohej. I riu gjeti vdekjen orë më vonë në spital pasi kishte rënë në koma.
Dy vëllezërit, me precedentë të mëparshëm penal aktualisht janë në arrati dhe policia po punon për arrestimin e tyre.
Seanca në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorisë për shkak të sekretit hetimor.