Fëmijët ushtarë janë objekt keqardhje në botën perëndimore, sipas të cilës ato janë të dëshpëruar që t’i shpëtojmë. Por, siç e dinë shumë aktorë humanitarë që punojnë për t’i riintegruar ata, çështja nuk është gjithmonë aq e thjeshtë.
Nga Sylvie Bodineau
Unë jam njëkohësisht antropologe dhe punonjëse humanitare për mbrojtjen e fëmijëve, aktualisht duke hulumtuar mënyrën sesi mbrojtja humanitare e fëmijëve adreson rekrutimin dhe përdorimin e tyre nga forcat e armatosura dhe grupet e armatosura. Kam kaluar gati njëzet vjet në terren para se të kthehesha në universitet për të “menduar mbi profesionin tim” nga një këndvështrim kritik. Ky pozicion më vë drejt e në mes të tensionit ‘akademikë që i dinë të gjitha” dhe punonjësve humanitarë që mund të bëjnë “vetëm mirë”. Më lejon gjithashtu, shpresoj, të kem një pasqyrë të ndryshme, më të nuancuar dhe të informuar në lidhje me veprimet humanitare.
Nga pozicioni im si studiuese, kam vendosur të zgedh qasjen e përdorur në fushën e antropologjisë së të drejtave të njeriut për ta hulumtuar këtë temë në dy mënyra të ndryshme. Së pari, unë hulumtova dokumentet e prodhuara nga aktorë humanitarë për mbrojtjen e fëmijëve që veprojnë në Republikën Demokratike të Kongos midis 1996 dhe 2012. Qëllimi im ishte të analizoja mënyrat se si u portretizuan ushtarët fëmijë dhe se si ky portretizim kishte ndikuar në hartimin dhe zbatimin e programeve humanitare me qëllim mbrojtjen e tyre. Ky hulumtim zbuloi mënyrën në të cilën supozimet për moralin mund të përfundojnë duke shenjtëruar ‘fëmijën’ si të pambrojtur dhe universalisht të cenueshëm, duke krijuar një imperativ humanitar për ta shpëtuar atë.
Koncepte të tjera kuptimore investohen në kategorinë e ‘ushtarit fëmijë’, të cilat lidhin pafajësinë me barbarizmin për të krijuar diçka që është moralisht e patolerueshme. Kjo i shndërron fëmijët potencialisht të dhunshëm në viktima për t’u mbrojtur dhe na drejton vëmendjen tonë në vuajtjet e tyre në vend të përgjegjësisë së tyre. Portrete të tilla, edhe kur krijohen për arsye të mira, shpesh janë në kundërshtim me kuptimet lokale të fenomenit. Ata bien në kundërshtim me nivelin e lartë të agjencisë dhe aftësive vendimmarrëse që këta fëmijë kanë demonstruar. Si rezultat, programet e hartuara vetëm mbi idenë e viktimizimit janë, të paktën pjesërisht, joefektive në mbështetjen e kthimit të këtyre fëmijëve në jetën civile.
Si pjesë e kësaj axhende kërkimore, unë shkova në një qytet të vogël në perëndim të Republikën Demokratike të Kongos midis viteve 2013 dhe 2015 për të ekzaminuar një program që mbështeste riintegrimin e ish-ushtarëve fëmijë. Qëllimi im ishte të krijoja, të paktën pjesërisht, një proces bashkëpunues të prodhimit të njohurive që do të pasqyronte historinë e jetuar, kolektive të këtij programi. Unë punova ngushtë me një OJQ-në që e kishte zbatuar këtë program midis viteve 2007 dhe 2011, duke diskutuar metodat që do të përdorja dhe duke i kërkuar që ata të më ndihmonin të identifikoj pjesëmarrësit. Ne u takuam në vendet e zgjedhura nga ndërmjetësit e mi, ku u kërkova ish fëmijëve ushtarë që të flisnin për përvojat e tyre të konfliktit dhe për programine riintegrimit të lirë nga paragjykimet. Vetëm kur ato mbaronin së treguari, unë bëja disa pyetje shtesë. Pasi raundi i parë i intervistave u mbyll, unë organizova disa fokus-grupe ku futa pyetje të tjera (bazuar në intervistat individuale) për diskutim. Më në fund, unë i paraqita bashkëbiseduesit rezultatet parësore të hulumtimit tim për të kontrolluar saktësinë e të kuptuarit tim dhe për të nxjerrë komente dhe diskutime të mëtejshme.
Trashëgimia e luftës jeton në ish-ushtarët fëmijë
Edhe nëse ata shpreheshin vuajtje, narrativat e tyre të ndryshme nxorën në pah agjencinë e tyre duke detajuar arsyet e shumta pse u rekrutuan në grupe të armatosura, pse mbetën në to dhe gjithashtu pse shpëtuan prej tyre. Këto rrëfime ishin ‘një botë larg’ nga historitë e viktimizimit dhe shëlbimit që mund të gjenden në autobiografitë e shumta të ish-ushtarëve fëmijë të botuar në botën perëndimore.
Për shembull, një grua e re – e martuar me një burrë që nuk ishte ushtarak, dhe nënë e dy fëmijëve në kohën e takimit tonë, foli për vështirësitë që përjetoi në jetën e përditshme civile. Ajo u pendua që “shpirti i saj luftarak ishte marrë preh saj gjatë procesit të demobilizimit”. Rrëmbyer nga një grup i armatosur në një kohë kur ajo nuk ndihej rehat në shtëpi me vjehrrën, ajo u trajnua si një operator radio dhe u martua me trajnerin e saj ushtarak.
Përkundër faktit se burri i saj ushtarak e braktisi atë menjëherë pas lindjes së fëmijës së saj të parë, ajo ndjeu se kushtet e vështira të jetesës në vijën e frontit ishin më të mira se sa ato që ajo kishte përjetuar si civile. Brenda grupit të armatosur, të paktën, ajo u respektonte dhe u njoh për rolin e saj si një operatore radio dhe luftëtare. Në ndryshim nga kjo, ajo ishte e trishtuar me gjendjen e jetës së saj bashkëshortore civile. Burri i saj vazhdimisht e fajësonte për të kaluarën e saj si ish-ushtarake. Ajo gjithashtu u ankua se programi i riintegrimit, i cili nuk e kishte trajnuar sa duhet për të gjeneruar të ardhurat e veta dhe për të qenë më e pavarur, nuk i kishte përmbushur premtimet e tij.
Demobilizimi pa kompensim po i vinte ato në fund të rendit shoqëror.
Të intervistuarit e tjerë gjithashtu patën një qasje kritike ndaj programeve humanitare të riintegrimit. Disa, për shembull, ndërsa e përshkruan përvojën e tyre ushtarake si fuqizuese, shprehën ndjenjën se gjatë jetës ushtarake kishin humbur mundësi në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre civilë. Kjo ishte një humbje që programet e riintegrimit nuk ishin në gjendje ta plotësonin, dhe ata u ankuan se demobilizimi pa asnjë kompensim financiar po i vinte ato në fund të rendit shoqëror. Duke krahasuar fatin e tyre me ushtarët e rritur që morën disa ‘përfitime’ në momentin e demobilizimit, disa prej tyre kishin reaguar dhunshëm duke marrë peng punonjës socialë dhe/ose duke plaçkitur pasurinë dhe zyrat e OJQ-ve.
Në të kundërt, narrativat e ndërhyrësve (themeluesit e OJQ-ve, punonjësve socialë, familjet kujdestare, trajnuesit profesional) zbuluan një bindje të përbashkët që demobilizimi dhe riintegrimi i fëmijëve ushtarë ishte i domosdoshëm që Republika Demokratike Kongos të kthehej në rend civil në fund të konfliktit . Ata ishin të vetëdijshëm se programet ishin aplikuar në mënyrë jo-konsistente, fakt që ata ia atribuan mungesës së burimeve dhe shtuan se ata kishin këmbëngulur me punën e tyre, pavarësisht nga episodet e dhunës nga fëmijët, me shpresën që përfundimisht të ndërtonin një marrëdhënie të fortë me ta.
Ky hulumtim u përfundua disa vjet më parë. Duke parë mbrapa, zgjedhja ime për t’u përqendruar në përvojat personale brenda një programi riintegrimi sesa në histori jetësore të vuajtjes dhe shëlbimit, dhe vendimi im taktik për të përdorur një format intervistimi jo direkt, krijoi hapësirë për këndvështrime të ndryshme mbi ushtarët fëmijë dhe mbrojtjen humanitare të fëmijëve . Veçanërisht, ky hulumtim konfirmon se perceptimet në lidhje me ushtarët fëmijë, të lidhura ngushtë me kontekstet, kanë një ndikim të fortë në ndërhyrjet që synojnë të mbrojnë fëmijët. Thekson faktin se ndërhyrja humanitare është shumë më tepër sesa një mënyrë për të ofruar dëmshpërblim për viktimat. Ndërhyrja gjithashtu krijon një hapësirë transaksionesh, jo vetëm të përfitimeve dhe shërbimeve, por edhe statusit, njohjes, dinjitetit – të gjitha aspektet që duhet të konsiderohen më mirë nga studiuesit dhe praktikuesit humanitarë.
Open Democracy-Birn