Senida Mesi, izh-zv.kryeministre, aktualisht deputete e PS në Shkodër i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ky i fundit, një ditë më parë, duke iu referuar procesverbalit të mbledhjes së PS Shkodër për Këshillin e ri Bashkiak, deklaronte se Mesi ua kishte mohuar kontributin socialistëve për mbledhjen e votave, duke ia njohur vetëm një personi jashtë PS, Pëllumb Gjokës, sipas Bashës një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në zonën e Velipojës dhe të Shkodrës, bashkëpunëtor i bandës të Bajrave.
“Gjatë debatit të socialistëve me Senida Mesin, për të mos ia dorëzuar Shkodrën Tom Doshit siç urdhëronte Edi Rama, flitet për votat e siguruara në Velipojë. Senida Mesi ua mohon kontributin socialistëve dhe ia njeh atë një personi jashtë Partisë Socialiste…
Dëshmia e Senida Mesit se votat për Edi Ramën në Velipojë i mbledh një trafikant droge që pastron paratë e krimit në Tiranë, rikonfirmon se vendi qeveriset nga një kryeministër i kapur nga krimi”, shkroi Basha dje në një reagim në rrjetet sociale.
Disa orë më vonë, Mesi ka reaguar në rrjetet sociale dhe i është përgjigjur Bashës:
“Mora vesh që Lulzim Basha, ka nevojë për mua për “kauzën e tij RAMA IK”, se normal edhe ato pak demokratikas që kishte i largoj dhe përmes “proçesverbalit” të mbledhjes së PS Shkodër të shkruar në zyrat e PD-së kërkon ndihmë.
Po të ishte burrë sdo kishte patur nevojë të më citonte dhe të thoshte atë çfarë unë paskam “dëshmuar”, por do e kishte thënë vetë.
Po të ishte lider do të kishte gjetur vetë provat dhe do të kishte dërguar gjithë të fortët dhe trafikantët pas hekurave që në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm.
Lulzim Basha, betejat e mija në jetë i kam bërë dhe do vazhdoj ti bëj vetë, me integritet dhe dinjitet. Po ti kur do i bësh i vetëm betejat e tuaja?
Lulzim Basha nëse do të bësh ndryshimin krijo besimin dhe parakushti është të thuash të vërtetën. Njerëzit mund të falin gabimet e mendjes por jo ato të shpirtit.
Nuk jam unë as shkaku e as problemi, shiko nga vetja dhe së paku të kuptosh një herë të vetme se loja jote jashtë sistemit ka vetëm një emër Dështim, ndërsa ai që sjell dështimin e ka një emër Dështak”, shkruan Mesi.
g.kosovari