Personi qe u gjet dje i plagosur ne Bushat te Shkodres kishte qene duke pastruar armen. 70 vjecari po pastronte armën e tij në oborrin e shtëpisë, kur u vetëplagosur në mënyrë të papritur.
I plagosuri është Palok Dodaj, nga Bushati i Bashkisë Vau i Dejës. Ngjarja ka ndodhur dje në orët mesditës.
Palok Doda është gjetur në anë të një kanali nga kalimtarë të rastit dhe menjëherë është njoftuar urgjenca e Spitalit Rajonal të Shkodrës. Një ambulancë ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje duke bërë transportimin e shtetasit të vetëplagosur drejt spitalit.
Sipas burimeve, Dodaj është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që vazhdon të jetë në kujdesin e stafit mjekësor. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia vendore e Shkodrës duke bërë hetimet për ngjarjen e ndodhur, ndërsa efektivët kanë shkuar edhe në spitalin rajonal për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje.
Fillimisht u mendua se shtetasi Palok Doda është plagosur nga ndonjë person tjetër dhe është hedhur në anë të rrugës në kanal, por në fakt, pas verifikimeve të Policisë dhe informacionit të siguruar në mënyrë të shpejtë, është mësuar se Palok Doda është vetëplagosur me armë zjarri, ndërsa po e pastronte atë në një oborr.
Policia Vendore e Shkodrës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, ndërsa i vetëplagosuri po merr mjekim në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka sekuestruar armën në vendin e ngjarjes./panorama
g.kosovari