Autoritetet kurde në Siri kanë dorëzuar në konsullatën gjermane në Erbil katër fëmijë të luftëtarëve gjermanë të IS. Mbi 100 fëmijët e tjerë të xhihadistëve gjermanë vazhdojnë të jetojnë në Siri.
Fëmijët së fundi kanë qenë të strehuar në kampin e refugjatëve Al-Hol në Siri. Këta janë tre fëmijë jetimë dhe një bebe e sëmurë, i tha agjensisë gjermane të lajmeve (DPA) një zëdhënës i autoriteteve kurde në Siri.
Sipas informacioneve të DPA-së tre fëmijët jetimë dhe bebja e sëmurë e shoqëruar nga gjyshërit e saj do të udhëtojnë nga Erbili për në Gjermani. Sipas këtyre të dhënave nëna e fëmijës së sëmurë vazhdon të jetojë në kamp në Al-Hol bashkë me fëmijët e tjerë të saj. Sipas informacioneve të revistës “Spiegel” këta janë tre fëmijë të moshës nga dy deri në shtatë vjeç. Prej kohësh në Gjermani diskutohet për kthimin e fëmijëve të IS-ve. Qeveria federale fillimisht i referohej faktit që aktualisht nuk ka përfaqësi diplomatike në Siri përmes së cilës mund të negociohej.
Situatë e qartë ligjore
Gjykata Administrative në Berlin në korrik vendosi, që qeveria duhet t’i kthejë në vend të afërmit e luftëtarëve IS. Në kampet e refugjatëve në Siri, sipas të dhënave të qeverisë federale, aktualisht ka shumë më tepër pjesëtarë familjesh të islamistëve gjermane nga sa mendohej. Ndërkohë atje jetojnë 68 gra me më shumë se 120 fëmijë, vuri në dukje një zëdhënës i Ministrisë së Brendëshme.
Deri tani Gjermania nuk i kishte kthyer në vend të afërmit e luftëtarëve në radhët e milicëve të terrorit nga Siria. Nga Ministria e Jashtme argumentohej, se qeveria po verifikon në koordinim me partnerët e saj opcionet e mundshme për “kthimin në Gjermanii të nënshtetasve gjermanë, veçanërisht të fëmijëve” në raste humanitare. Kusht për këtë është që “të shqyrtohet gjithmonë rasti përkatës”.
Sipas të dhënave të Rojava Information Center (RIC), një organizatë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave në rajon, rreth 117 fëmijë me nënshtetësi gjermane ndodhen në kampet kurde. Këtyre u shtohen edhe 21 fëmijë të gjermanëve, të cilët nuk kanë nënshtetësi gjermane, si dhe një duzinë gra e 66 burra, prej të cilëve mbi 40 mendohet të kenë qenë të implikuar në krime lufte. /DW
g.kosovari