Presidenti Meta i ftuar në emisionin “Kojshia Show” në RTV21 ka folur sot në mbrëmje edhe për krizën e rëndë ku ndodhet vendi, duke përsëritur thirrjen e tij drejtuar të gjithë politikanëve për të vënë interesat e vendit mbi interesat e tyre personale.
Sipas Metës e vetmja zgjidhje për krizën e rëndë ku ndodhet vendi janë zgjedhjet.meta
Gazetari:…A e keni shkelur ndonjëherë Kushtetutën për shembull?
Presidenti Meta: Asnjëherë në botë, nëse keni parasysh këto lajmet e fundit. Si mund të shkelet Kushtetuta, kur e gjithë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë bazohet mbi pluralizmin politik dhe mbi të drejtën e zgjedhjes.
Të gjitha veprimet e mia kanë qenë konform Kushtetutës dhe parimeve të saj themelore dhe kjo nuk është vetëm një përpjekje e imja, por edhe Presidentë të tjerë në të kaluarën në momente krizash kanë bërë gjithçka për të evituar zgjedhje pa opozitën.
Sepse kuptohet, kjo është mjaft e rëndë për çdo vend demokratik, aq më tepër për një vend si Shqipëria që 45 vjet vuajti aq shumë nga zgjedhjet njëpartiake, nga votimet moniste, që siç e dimë të gjithë nuk ishin zgjedhje.
Gazetari:Ju jeni ekonomit në profesion apo jo?
Presidenti Meta: Po, unë kam studiuar për ekonomi.
Gazetari:Nëse nuk do të ishit bërë ekonomist, a do të kishit dëshirë të bëheshit doktor apo piktor?
Presidenti Meta: Nuk mendoj se kam ndonjë talent të veçantë në fushën e pikturës. Ndoshta do të kisha dashur të isha inxhinier, do të më pëlqente në fakt. Mes këtyre dy profesioneve do të zgjidhja të bëhesha doktor, sepse shëron dhe ndihmon njerëz.
Gazetari:A do të thotë kjo që do të ishte më i rëndësishëm nëse do të rikthehej Sali Berisha në këto momente të vështira. Cili do të ishte më i mirë për politikën shqiptare, Doktori apo Piktori?
Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të bazohesha tek individët, te karakteristikat e tyre. Shqipëria ka nevojë për një…
Gazetari:…Cili do të ishte më i nevojshëm për Shqipërinë?
Presidenti Meta: Për Shqipërinë është e nevojshme që të gjithë politikanët të vënë interesat e vendit mbi interesin e axhendave të tyre afatshkurtra. T’i shërbejnë stabilitetit të vendit, dialogut politik, forcimit të institucioneve demokratike, sidomos institucioneve të pavarura.
Shqipëria po vuan një largim serioz të të rinjve, të gjeneratës më krijuese dhe më të domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe kjo ndodh për shkak të këtij konflikti që vazhdon në Shqipëri në një mënyrë skizofrenike do të thoja, edhe pas 30 vjetësh.
Është një konflikt tërësisht artificial dhe që është një këmbanë alarmi për të reflektuar të gjithë urgjentisht.
Nuk mund të jetë Shqipëria, për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, një shembull frymëzimi dhe pozitiv, në këtë mënyrë siç zhvillimet e fundit kanë ndodhur në vendin tonë për fat të keq.
Gazetari:A mos po e shohin Presidentin si në aplikacion që shkarkohet në internet?
Presidenti Meta: Presidenti është institucion që, jo vetëm nuk shantazhohet, por përkundrazi është edhe më i motivuar për t’u shërbyer atyre qëllimeve kombëtare që ka për detyrë: të angazhohet dhe të mbrojë demokracinë e pluralizmin politik në vend në një situatë tërësisht anormale, po të kemi parasysh situatën në Parlament, situatën e fundit para dhe pas 30 qershorit, por njëkohësisht edhe faktin që vendi është pa institucionet kryesore të drejtësisë apo me institucione tërësisht tranzitore dhe të kontestuara.Pra kur vendi është në situatë dëshpëruese.
Megjithatë, unë kam bindjen që kjo situatë me një reflektim më të gjerë të të gjithë shoqërisë dhe me një reflektim të të gjithë palëve, duke filluar tashmë nga opozita, do të mund të ecë në drejtimin e duhur, megjithëse me shumë vonesë dhe me kosto të tmerrshme.
Gazetari:Meqenëse jemi te zgjedhjet në Shqipëri. Ju keni thënë se “zgjedhjet janë zgjidhja”…
Presidenti Meta: Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve.
Vetëm përmes tyre mund të rivendoset demokracia në shinat e saj. Po kështu mund të funksionojë një drejtësi e pavarur dhe një ekonomi për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për atë që unë e quaj një pakicë që nuk njeh rotacion dhe që përfiton me të gjitha qeveritë, duke bërë ligje të veçanta, për persona të veçantë dhe për interesa të veçanta, në dëm të interesit publik dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës.
/a.r