Nga Artur Ajazi
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, është në vazhdën e një seriali të gjatë pushimesh jashtë “shtetit”, (pas Sarajevës) në malet, fushat, lumenjtë, dhe teqetë e Kosovës. Duke treguar “aftësitë” e tij, herë si alpinist, herë si notar, herë si dashamirës i maleve dhe luginave, dhe herë si nderues i madh i baballarëve të Teqeve, kreu i shtetit ka shijuar gjatë vizitat në Kosovë, duke treguar se i ka shumë për “zemër” trojet e tjera të shtetit amë. Por gojët e liga flasin se “Meta ka të ngjarë të kërkojë një ditë nënshtetësi kosovare”, gjë e cila lidhet me patriotizmin dhe atdhedashurinë e tij të pakufijshme.
E ndërsa Shqipëria “digjet” nga kriza e stërgjatur politike, e ndërsa vendi po kalon një situatë të pazakontë pikërisht pak javë nga sihariqi që do të marrë nga BE në tetor, për hapjen e negociatave, e ndërsa reagimet e ndëkombëtarëve bëhen çdo ditë edhe më premtuese për vendin që ka hyrë në rrugën e reformave, kreu i shtetit rri maleve dhe teqeve, merr pjesë në ç’varrime dhe pritje të tjera në Prevallë, Rahovec, etj. Sinqerisht nuk e kishim njohur këtë dobësi të kreut të shtetit Meta, si për tifozët e Selltikut, apo ujëvarat, lumenjtë, malet, kanionet, fushat e gjëra me lule, dhe teqetë e Kosovës, pasi të tilla “dobësi” nuk i ka shfaqur ndonjëherë kaq shumë as për Baba Tomorrin, apo Korabin dhe Dajtin.
Duke u marrë edhe maleve të Kosovës me 13 tetorin, dhe duke dhënë edhe deklarata politike se “atë datë nuk e luan as topi për zgjedhjet lokale”, duket se kreu i shtetit kërkon të marrë rolin e “komitit”, Mic Sokolit, apo Çerçiz Topullit. Dhe në fakt Ilir Meta, ka disa muaj që nuk sillet më si “kreu i shtetit, si “njeriu mbi palët politike”, si “babai i kombit” por thjesht bën opozitaristin e egër, kundërshtarin e ashpër të qeverisë, kthen mbrapsht çdo ligj të miratuar nga Parlamenti si psh atë për “florinin”, teatrin, dhe shumë ligje të tjera apo ndryshime ligjore, që ndikojnë pozitivisht në jetën politike dhe social-ekonomike të vendit.
Dalja dhe qëndrimi i gjatë i kreut të shtetit fushave, maleve, lumenjve, marrja me alpinizëm, not, rite dhe vlerësime të figurave fetare, por ama duke mos harruar edhe ndonjë deklaratë politike (madje nxitoi të deklaroi fill pas dorëheqjes së Valdrinit se është i vendosur për 13 tetorin) tregon se Meta nuk ka përqëndrim tek detyra kushtetuese, sa e ka tek llogorja e tij e re, e opozitaristit. Duket sikur Meta dhe Basha janë në “duelin e
heshtur” mes tyre, pasi njëri thotë “pa mua nuk fitoni pushtetin me Ramën kryeministër” dhe tjetri aludon “burg për çdo politikan të korruptuar kur të vijmë në pushtet ”. Nuk dihet përse aleanca Meta-Basha u prisht, por një gjë është e sigurtë, ata kurrë nuk e kanë dashur, dhe nuk e duan njëri-tjetrin.
Gjithsesi vajtjet e shpeshta të Metës në Kosovë, statuset e tij në fb se “po shijoj natyrën e mrekullueshme malore të trojeve shqiptare”, takimet e tij me Ramushin, Thaçin, dhe figura të tjera politike në Prishtinë, ngjajnë më shumë me dashurinë e tij për “pasaportën kosovare” se për bukuritë natyrore. Duke qenë njeri i “surprizave” nuk përjashtohet ndoshta një dëshirë e tij e fshehur, për tu bërë një ditë president edhe në Kosovë ? Por deri atëhere, ndoshta Metës do ti ketë ikur zelli për sportet e vështira malore. (Tema) /l.m
Ma mire dote ishte te merte Pasaporten ne burgun e Shkodres.