Nga Alfred Peza
Vëzhgues të paanshëm të zhvillimeve politike në Shqipëri, qytetarë të zakonshëm që kërkojnë të jetojnë në një vend normal dhe njerëz racionalë brenda kampeve të partive politike, jo rrallëherë bëjnë disa pyetje për të cilat duket sikur nuk kanë marrë kurrë përgjigje.
Madje edhe kur marin, nuk arrijnë të kuptojnë se përse një pjesë e elitës politike të vendit harxhon kaq shumë energji negative, për ta tëhequr “makinën” e kohës së Shqipërisë, nga e kundërta e akrepave të orës për të cilën predikojnë se po punojnë.
Lidershipi i opozitës së rrugës dhe propaganda e saj, deklarojnë se:
Në pushtet nuk vihet me protesta partiake. Megjithatë nuk heqin dorë prej tyre.
Në pushtet nuk vihet me dhunë. Megjithatë, e inkurajojnë dhe e nxisin në çdo rast atë.
Në pushtet nuk vihet me revolucione imagjinare. Megjithatë, vazhdojnë të punojnë veç për to.
Në pushtet nuk vihet me bojkot. Megjithatë predikojnë veç mosmarrjen pjesë në zgjedhje.
Në pushtet nuk vihet pa marrë pjesë në zgjedhje. Megjithatë i bënë të nëntëdhjetenëntat që veç procesi të mos zhvillohej.
Pushteti nuk fitohet në tavolinë. Megjithatë vazhdojnë të ëndërrojnë ditën, që kjo tu dali në gjumë natën.
E dijnë shumë mirë që vetëm dialogu pa kushte i zgjidh problemet politike. Por bëjnë gjithçka për të mos u ulur në tryezë.
Predikojnë se asnjë shtet i demokracive moderne nuk ka prosperuar pa realizuar më parë reformën në drejtësi. Por natë e ditë veç komplotojnë për ta penguar, bllokuar dhe zhbërë atë.
Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, nuk i shton vota as PS, as Edi Ramës dhe asnjë partie tjetër, por është një fitore e madhe për qytetarët tanë dhe për Shqipërinë. Megjithatë punojnë 24 orë në 24 veç për ta penguar këtë proces.
E dinë shumë mirë që rrugëtimi i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut drejt BE, i favorizon të dyja shtetet duke ecur sëbashku. Por lidershipi i opozitës së rrugës, bën gjithçka dhe veç lutet natë e ditët për ndarjen.
Predikojnë prej 30 vjetësh që “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Por, me vepra sillen si liderë të demokraturave afrikane.
Lulzim Basha thotë se ndryshe nga 30 Qershori, ato të 13 tetorit janë zgjedhje kushtetuese. Por ai prapë nuk mer që nuk mer pjesë.
Sali Berisha, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi i dijnë por me koshiencë kanë bërë fiks të kundërtë e asaj që duhet të bënte opozita e një vendi aspirant për në BE. Megjithatë me gojën e Ilir Metës, vazhdojnë të fyejnë çdo ditë inteligjencën qytetarëve të vet, duke i treguar pas kësaj, edhe për rrezikun e madh që po na kanoset më 18 tetor.
E si në përrallën e hajdutit që thërret kapni hajdutin, Ilir Meta bërtet për rrezikun që na kanoset për çeljen e negociatave me BE! Duke harruar se në politikë ka një aksiomë: Lider budalla është ai që mendon se qytetarët e vendit të tij, janë budallenj.
Ndaj, le të vazhdojnë të besojnë se po tallen me shqiptarët. Shqiptarët mbaruan punë me lidershipin e rrugës, më 30 Qershor. Kjo u jep qetësinë këto ditë të nxehta gushti, që veç të argëtohen e të pushojnë për qejfin e tyre. Ata e dinë mirë pse e bëjnë gjithë këtë lojë. Por nuk ua qajnë dot hallin. Sepse halli i lidershipit të opozitës së rrugës, nuk është më as fati, e aq më pak halli i shqiptarëve.