Drejtimi i makinës nuk është më atribut vetëm i meshkujve. Tashmë makina është një mjet i rëndësishëm transporti për të dyja gjinitë. Por a e dini se në cilin qark u pajisën më shumë gra me leje drejtimi? Dhe jo, sikurse mund të ju shkojë në mendje shumë prej jush nuk është Tirana. Madje qarku i Tiranës, renditet i treti në 2018-n për pajisjen e vajzave me leje drejtimi në 2018-n.
Në vend të parë, për numrin më të lartë të lejeve të drejtimin në raport me popullsinë renditet qarku i Durrësit. Sipas të dhënave në 2018-n u pajisën me leje drejtimi 22 gra për çdo 1000 banorë gra që numëron ky qark.
‘Monitor’ ka përllogaritur numrin e lejeve të drejtimit të lëshuara për secilin qark duke i kthyer në bazë të krahasueshme për 1000 banore gra.
Kështu në vend të dytë renditet qarku i Lezhës, ku sipas përllogaritjeve për çdo 1000 gra u pajisën me leje drejtimi 19, i ndjekur nga Tirana dhe Shkodra me përkatësisht 17 dhe 16 gra të pajisur për 1000 banore gra. Në Elbasan në 2018-n u lëshuan 12 leje drejtimi për 1000 gra.
Më pas Vlora, Berati dhe Kukësi u renditën me përkatësisht 10 leje drejtimi të dhëna për çdo 1000 mijë gra, të ndjekur nga Dibra me 9 leje drejtimi.
Në Fier dhe Gjirokastër, u pajisën me leje drejtimi 8 gra për çdo 1000 banorë.
Është për t’u habitur, por në fund të renditjes renditen korçaret. Me sa duket vajzat e Korçës janë nikoqire shumë të mira, por kur vjen puna te drejtimi i makinës nuk kanë interes që ta mësojnë.
Në total në të gjithë Shqipërinë në 2018-n janë lëshuar 20,051 leje drejtimi për gratë, nga 19,444 që u lëshuan një vit më parë. Megjithatë hendeku midis grave që pajisen me leje drejtimi dhe burrave mbetet shumë i lartë. Për të njëjtin vit, INSTAT raporton se janë pajisur me leje drejtimi 48,607 burra në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Megjithatë numri i burrave që kanë marrë një leje drejtimi ka ardhur në rënie ne krahasim me një vit më parë kur u pajisën 49,651 burra.
Kjo do të thotë që numri i meshkujve që marrin leje drejtimi është dy herë më i lartë se ai grave.
/a.r