7 makina të përplasura dhe dy persona të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur mesditën e së shtunës në Tiranë, në afërsi të kryqëzimit të Komunës së Parisit.
Aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga një makinë e grumbullimit të mbetjeve e cila i ka përplasur në seri makinat e parkuara. Shoferi i këtij mjeti është arrestuar pasi ai ka qenë nën efektin e një sasie të madhe alkooli, ndërsa dy personat e plagosur janë punonjës të grumbullimit të mbetjeve.
Shoferi i kësaj makinë, Islam Beba, sipas policisë, ishte i dehur në timon dhe për këte arsye nuk ndaloi pranë koshit të mbeturinave por mori gjithçka para.
Një tjetër aksident, mbajti për rreth 1 orë të bllokuar, autostradën Lushnjë Fier.
Drejtuesit e mjeteve, nuk arritën të merreshin vesh se cili ishte fajtori i aksidentit me dëme të lehta, duke shkaktuar një radhë prej 8 kilometrash me automjetet të cilat qëndronin në pritje të lirimit të rrugës, mes tyre edhe një ambulancë.
E shtuna regjistroi një tjetër aksident në Gjirokastër. Një shofer 27 vjeçar, ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga që të çon për në Kakavijë, për të përfunduar më pas në një kanal. Në ditët e verës aksidentet rrugore janë rritur ndjeshëm.
Në muajin qershor 15 burra dhe 11 gra kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Ndërsa numri i të lënduarve është shumë më i madh. Në total janë 131 aksidente që kanë ndodhur, mesatarisht 4 për çdo ditë.
Ekspertët presin që edhe gjatë muajit gusht të ketë sërish incidente të vazhdueshme në rrugë. Kjo ndodh për shkak se gjatë verës drejtuesit e mjeteve ulin vigjilencën, ecin më shpejt dhe bëjnë më shume shkelje. (tch) /l.m