Ndëron jetë një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, Sherif Kaloshi. Lajmi është bërë me dije nga kryedemokrati Basha, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale teksa kujton të shkuarën e dhimbshme të Kaloshit, nëpër kampet e përqëndrimit gjatë regjimit komunist, shpreh ngushëllimet dhe mirënjohen e thellë për figurën e tij.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit Basha shprehet se Kaloshi ishte njëri nga kontributorët më të mëdhenj në përpjekjen e qeverisë së parë demokratike për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.
Sipas Bashës, kontributi i të ndjerit dhe familjes së tij kanë qenë tepër i rëndësishëm për PD-në dhe ish të përndjekurit politik.
Postimi i plotë i Bashës:
Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të Sherif Kaloshit, njërit nga kontributorët më të mëdhenj në përpjekjen vigane të qeverisë së parë demokratike të Shqipërisë për rehabilitimin, integrimin e më vonë edhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Sherif Kaloshi e kaloi rininë dhe një pjesë të madhe të jetës së tij në internim, në kampet e përqendrimit të diktaturës, nga Tepelena e deri në Lushnje, ashtu si i gjithë fisi i Kaloshëve, i cili mund të renditet ndër fiset më të persekutuara nga regjimi komunist. Vetë Sherifi mban një rekord të rëndë persekutimi, pasi ai e përjetoi internimin që kur ishte fëmijë në vitin 1945 dhe rënia e komunizmit në vitin 1990 e gjeti sërish në internim.
1990-a e gjeti pinjollin e familjes së madhe patriotike të Kaloshëve të Dibrës, në Gradishtë të Lushnjes dhe ai u angazhua aty ku e kishte vendin një bir i Kaloshëve, në themelimin e degës së Partisë Demokratike të Lushnjes.
Me fitoren e qeverisë së parë demokratike, Sherif Kaloshi dha një kontribut të çmuar për integrimin e të përndjekurve politikë në shoqëri. Nga 1994-a deri në 1997-n ai drejtoi Komitetin e të Përndjekurve Politikë, një strukturë shtetërore që ngriti gjithë korpusin ligjor që shërbeu më pas për vënien në zbatim të Statusit të ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë nga Sistemi Komunist, si dhe për dhënien e Kompensimit Pasuror. Nën drejtimin e Kaloshit, Komiteti kreu një punë mjaft voluminoze, në grumbullimin e dokumentacioneve të kësaj shtrese, si dhe përfundoi shpërndarjen e plotë të statuseve, por ky kontribut u ndërpre në mënyrë kriminale nga një qeveri që erdhi në pushtet me armë dhe me filozofinë e restaurimit të luftës së klasave.
Familjes Kaloshi iu desh t’i paguante këtij vendi një tribut edhe në demokraci dhe nipi i Sherifit, Bujar Kaloshi, një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, u vra në 1996-n nga bandat që më vonë drejtuan rebelimin e armatosur të 1997-s.
Largimi i Sherif Kaloshit na lë dhimbjen, por edhe detyrimin se angazhimi i Sherifit dhe i gjithë fisit Kaloshi që shqiptarët më në fund të jenë zot të fateve të veta, që të jenë të lirë të zgjedhin, të zgjidhen, të qeverisin e të largojnë ata që qeverisin keq, nuk do të lihet në mes. Simbole të qëndresës si Sherif Kaloshi janë një trashëgimi që na jep forcë, janë pjesë e historisë së lavdishme të Partisë Demokratike, por ato janë edhe garanci se ne do ta fitojmë betejën, për të drejtën pa kompromis me të keqen.
U prehtë në paqe!