Nga Lorenc Vangjeli
Tërmetet mund të shembin grataçielat, por nuk mund t’u bëjnë ndonjë dëm domethënës shtëpive përdhese me qerpiç. Shumë – shumë, edhe ndonjë avlli e çarrë apo mur i shkarë, nuk do t’i binte kujt në sy. Kjo aksiomë e çuditshme, e vërtetuar pothuaj gjithmonë në praktikë, shërben për të kuptuar dhe marëdhënien po aq të çuditshme mes krizës ekonomike që bie si tërmet e me forcë tërmeti dhe një sërë faktorësh që e shkaktojnë atë. Në një ekonomi normale, për shembull në Gjermani dhe Francë apo për të shkuar pak më larg, në SHBA dhe Kanada, ndryshimi i humorit të publikut apo ndryshimi i ekuilibrit të forcave politike në vend, lëvizjet në qeveri dhe riformatime të saj, skandale të vjetër të dalë në sipërfaqe apo skandale të rinj që zgjasin më shumë se tre ditë, veç e veç apo të gjithë bashkë, mund të bëjnë namin në bursa. Dikush do të përfitonte miliona a miliarda në pak çaste dhe dikush tjetër do t’i humbte si me magji ato Brenda të njëjtave çaste. Do të pasonte një reaksion zinxhir, me ndryshim interesash bankare, do të shiteshin më pak shtëpi e makina; do të rishkruheshin plane investimesh dhe riinvestimesh e të tjerë e të tjerë.
Fevziu i Amerikës dhe Minxhozi i kanadasë, Muçi nga Gjermania dhe Preçi francez, bashkë me një armatë të tërë grash e burrash në një listë buçitëse ku nuk do të mungonte as Edi e as Liri, as Luli e as Mona; një listë ku janë edhe Sandri, Mandi, Mero, disa Ylla, shumë Tanë e një Irfan, Carlo dhe Iliri, Berti e Erli, natyrisht Nikolla e padyshim edhe Henri, Fatosi, Nila e Mira, tre dhe më shumë Andë, Eni e Beni, Nazarkot çift, Desada unike, Goni, Irisi e të tjerë e të tjerë, në versionin e tyre amerikan, kanadez, australian, neozelandez apo gjerman, britanik, francez, pra, në version normal, do të flisnin me orë e orë për të sqaruar çfarë kishte ndodhur, çfarë po ndodhte dhe çfarë pritej të ndodhte më pas. Secili nga ta dhe të të gjithë bashkë, do të vinin gishtin e akuzës tek ata që qeverisin me qeveri dhe opozitë sepse andej matanë, edhe opozita është qeverisëse dhe që në një mënyrë apo një tjetër, fusin duart në xhepat e dynjasë dhe trazojnë portofolin e të gjithëve. Me nje llaf, do të flisnin për krizën sipas bindjes së ngulitur thellë se ekonomia serioze është shumë më e ndjeshme sesa është një femër edhe përballë gjithçkaje që një burrë nuk do ta kuptonte kurrë.
Në Shqipërinë e trilemës së hershme për çfarë ka qenë, çfarë është dhe çfarë do të bëhet, kjo situatë nuk funksionon. Pak a shumë këtë gjë thonë edhe bankierët, këtë tha edhe banka e Shqipërisë nëpërmjet kryebankierit të saj. “Rritja ekonomike është ngadalësuar, inflacioni ka rënë një çikë dhe na mori në qafë thatësira. Rreziqet janë rritur si mundësi edhe pse ka tension politik”.
Nëse shihet se çfarë ka ndodhur vetëm në këtë vit si shkaqe të mundshëm për krizë ekonomike, pasojat qenkan të pabesueshme. Ikja e opozitës nga sistemi, një palë zgjedhje legjitime ligjërisht, por të deformuara praktikisht, protesta të vazhdueshme dhe lajme që duket se vijnë në çdo moment nga kahu i sipërm i një fronti lufte, me një qeveri që akuzohet si pushtuese nga një opozitë që ka ikur në shtëpi dhe me një opozitë që tregohet me gisht si budallaqe nga qeveria, e cila vetëtregtohet si e përbërë vetëm nga Xhefersonë, Uashingtonë e Rusveltë, pra, i gjithë ky zinxhir rrethanash, do të bënte namin në Shqipëri. Ka ndodhur ndonjë nam i padëgjuar më parë, kësaj ane të Ballkanit, ku të gjithë kanë futur kokën në hije dhe mbathjet në trup për t’ja mbathur në plazh? Banka thotë jo!
Vështirë të justifikohet mungesa e namit total, nëse nuk kihet parasysh një detaj i thjeshtë: Shqipëria është një vend ende informal. Me lekë nën dyshek dhe rregulla që shkruhen në rërë, me aksione në vend të vijimësisë, me humor individësh në vend të ngurtësisë së institucioneve, me të dalë ku të dalë dhe gallatë për të gjithë, në një teatër që dikush e quan demokraci ende jo funksionale dhe dikush tjetër e quan diktaturë. Në fakt gjërat janë shumë më të thjeshta. Në këto tre dekada plutralizëm në Shqipëri, mbi themelet e qerpiçit të vjetër otomano-komunist është ndërtuar një shtëpi tipike prej qerpiçi, të cilës nuk ka krizë e tërmet që e dëmton. Qoftë edhe kaq mjafton për ta mbajtur përpjetë e pa turp, bishtin krenar të një klase politike që si gjithë dynjaja, ka vendosur të marë pushimet. Java News /l.m