Nga Alfred Peza
As përbetimet publike të Xhelal Mziut, se nuk do lejonte kurrësesi Kryetarin e ri të Bashkisë së Kamzës Rakip Suli, që të hynte në zyrë;
As gënjeshtra e tij e dalë sheshit sot, kur të gjithë e panë se e kishte zbrazur zyrën me duart e veta, duke u kujdesur deri në detajin për ta lënë foton e Ilir Metës me kokë poshtë dhe çelësi në derë;
As përbetimet e Lulzim Basësh se 30 Qershori ishte fitorja e tij, duke u bërë sebep që tani, ta mbështesin plot 85% e shqiptarëve;
As poezitë në formë statusesh të thurura majëmalesh e të postuara në rrjetet sociale dhe as gojshthurja ndaj kundërshtarëve politikë dhe kritikëve të tij, nga Ilir Meta;
As heshtja e Monika Kryemadhit sa herë bashkëshorti i saj e shton aktivitetin publik dhe as rritja kompensuese e zhurmës prej saj,- si dy anë të së njejtës medalje,- sa herë që Ilir Meta hesht;
As fshehja e Sali Berishës prapa statuseve që nuk kanë asnjë lidhje me atë që një lider historik duhet tu shpjegojë mbështetësve që i kanë besuar verbërisht për 30 vjet,- nuk e fshehin dot hallin e madh dhe real të lidershipit të opozitës sonë të rrugës.
Pasi e pranuan se dekreti i zgjedhjeve imagjinare të 13 tetorit nuk mund të zbatohet dhe se votimet nuk do të bëhen, liderët e “Opozitës së Bashkuar” nuk duhet tia rrokanisin më kokën miletit, me lloj lloj përrallash që nxjerrin nga goja. Broçkulla që veçse ia fyejnë inteligjencën, i bezdisin pak si tepër këto kohë, në mënyrë që ti lenë ti bëjnë ato të bekuara pushime verore, bash për qejfin e tyre.
E vërteta është se në 1 shtator e tutje, të gjithë do ta besojnë kur ta shohin me sytë e tyre se: Opozita nuk ka më në pushtet, asnjë kryeplak fshati, asnjë Kryetar Njësie Administrative, asnjë Kryetar Bashkie, asnjë Prefekt, asnjë deputet në Parlament dhe asnjë post politik; si në pushtetin qëndror, ashtu edhe në atë lokal.
Djegia e mandateve të deputetëve, që ishte edhe piknisja e gjithë kësaj situate ku jemi, ishte një absurditet. E paprecedentë. Totalisht kundërproduktive nga ana politike. Mosmarja pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit, po ashtu. Ndaj, miqtë dhe dashamirësit e Shqipërisë por edhe mendjet e ftohta të opozitës dhe gjykimet e kthjellëta të opinionit mediatik e publik, e kanë qartësuar tashmë rrugën që duhet të ndjekin partitë e opozitës:
Të rikthehen sa më parë brenda sistemit politik dhe demokratik të vendit.
Të nisin sa më parë reformimin e thellë brenda tyre.
Të angazhohen për të mbështetur pa kushte reformën në drejtësi.
Të rikthehen në komisionin e posaçëm Parlamentar për adresimin e të gjitha kërkesave dhe nevojave, në reformën e re elektorale.
Të punojnë sëbashku me mazhorancën, për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Çdo ditë e çuar dëm jashtë këtij realiteti shpëtimtar për të ardhmen politike të partive të opozitës, i dëmton akoma edhe më shumë se deri më sot, interesat e anëtarëve dhe mbështetësve të saj.
Ndaj, shtatori duhet vlerësuar si dita e parë e shkollës së re politike të opozitës së rrugës. Një mundësi për ringritjen e saj dhe për rikthimin në rrugën e Zotit dhe të institucioneve. Ky shans i fundit, nuk duhet të jetë më kurrë si më parë, një shans i humbur!