Ambasada Amerikane në Shqipëri sqaron se vettingu është një proces që monitorohet nga ekspertë amerikanë dhe që synon drejtësi të barabartë për të gjithë.
Përmes një shpjegimi të gjatë SHBA i kthen përgjigje, akuzave të bëra nga presidenti Ilir Meta dhe opozita ndaj reformës në Drejtësi dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS.
Mesazhi i plotë ambasadës së SHBA:
Në videon tonë të fundit, ne ju njohëm me një përmbledhje të reformës në drejtësi. Këtë javë, do të flasim për vetingun. Me siguri ju keni dëgjuar për këtë proces, por përse është vetingu i rëndësishëm? Përse reforma në drejtësi vendosi një proces rivlerësimi për gjykatësit dhe prokurorët dhe si do e ndryshojë kjo sistemin shqiptar të drejtësisë? Shihni këtë video dhe mësoni se si procesi i vetingut do të sigurojë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit.
“Pse është i rëndësishëm vettingu (rivlerësimi). Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2012, vetë gjyqtarët pranuan se kishte korrupsion në masën e 25%. Gjyqtarët pranuan se kishte një nivel të caktuar ndërhyrje politike në vendimmarrjet e tyre në masën 57%. Kjo tregonte se sistemi i drejtësisë nuk ishte fort i drejtë.
Shumë qytetarë i shihnin gjykatat dhe prokurorët si institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar shiheshin si të paprekshëm sepse vepronin mbi ligjin.Vettingu shqyrton tri kategori: pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale.
KPK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrton deklaratat dhe hetimet për pasurinë, informacionin mbi lidhje me krimin e organizuar si dhe historikun profesional të kandidatit.
Kandidatët mund t’iu përgjigjen pyetjeve dhe të ofrojnë informacion shtesë përpara dhe gjatë seancës dëgjimorë të tyre. Pas dëgjesës paneli i KPK merr vendim bazuar në këto informacione.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i përbërë nga ekspertë amerikanë dhe europianë mbikëqyr procesin. Ata mund të kërkojnë dokumente, të drejtojnë pyetje, të paraqesin opinione dhe të kërkojnë apelimin e vendimit.
Kandidatët që kalojnë vettingun vazhdojnë të shërbejnë si gjykatës e prokurorë. Ata që dështojnë bazuar në pasuri të pashpjegueshme dhe lidhje me krimin, shkarkohen. Nëse gjyqtari ose prokurorin gjendet i paaftë, ai ose ajo shkarkohet ose mund t’i kthehet shkollës së Magjistraturës.
Synimi i procesit të vettingut është të krijojë një sistem me gjyqtarë e prokurorë kompetentë.
Në ditët e shkuara cilido me para apo pushtet mund të çonte vendimet e gjyqtarit apo prokurorit në favor të vet. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vettingun do të veprojnë sipas rregullave dhe kushdo do të jetë i barabartë përpara ligjit”, thuhet në video.