Policia kufitare ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike në pikën kufitare të Muriqanit në qytetin e Shkodrës, ndërsa ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili po tentonte të trafikonte 20 kg drogë drejt Malit të Zi.
Njoftimi i policisë:
“Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë një 27 vjeçar, i cili tentoi të trafikonte në drejtim të Malit të Zi, 20 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale Për Kufirin dhe Migracionin Shkodër në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në pikat e kalimit si pasojë e fluksit të madh gjatë sezonit turistik veror, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm një mjet të dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike.
Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar mjetit që drejtohej nga 27 vjeçari, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehur dhe sekuestruan 20 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Në vendngjarje ka mbëritur grupi hetimor dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Shkodër të cilët në përfundim të veprimeve kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: D.K., 27 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm -Demiraj, Malësi e Madhe. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë”-njofton policia.