Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka sulmuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, duke i kërkuar llogari se pse flet për zgjedhjet kur nuk ka ndërmend që të marrë pjesë në to.
“Dy muaj më parë i kërkoje llogari KQZ-së se përse na regjistronte ne si parti për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Tani po i hakërrehesh të njëjtit institucion se përse nuk po i regjistron disa parti, që duan të garojnë më 13 tetor. Dekret Presidenti kishte atëherë, të tillë ka edhe tani. Nuk po i hyjmë diskutimit të nxehtë, që vetë ke thënë se i përket Gjykatës Kushtetuese, për cilësinë dhe ligjshmërinë e vendimeve të Ilir Metës. A mund të na shpjegosh se si i dallon dekretet e Presidentit në janë të mirë apo jo, se mbase na shërben edhe ne të tjerëve? Por mbi të gjitha, na hiq një kuriozitet! Çfarë pune ke ti me zgjedhjet, në të cilat nuk ke ndërmend të marrësh pjesë? Lëri të ankohen vetë ata, që të paktën formalisht kanë shprehur dëshirën të konkurrojnë më 13 tetor, sepse njohin dekretin e dytë të Presidentit”, shkruan Patozi në Facebook.
“Kurse ti nuk njeh as të parin dhe as të dytin, dhe një Zot e di kur mund të të dalë frika e të futesh ndonjëherë në zgjedhje. Jo për gjë, por nuk të ka caktuar njeri arbitër për asgjë në këtë vend, dhe kjo vlen sidomos për proceset elektorale, ku me zhvillimet e fundit, e meriton plotësisht titullin e palës së painteresuar”, shton Patozi./ l.m