Fundjava e parë e gushtit që korrenspondon edhe me marrjen e pushimeve verore në shtetet e Bashkimit Evropian ka bërë që në pikën kufitare të portit të Durrësit të paraqitet një fluks shumë i lartë emigrantësh shqiptarë dhe kosovarë.
Vetëm përgjatë fundjavës, autoritetet e kufirit dhe migracionit thonë se janë përpunuar mbi 12 mijë shtetas dhe mbi 4 mijë automjete në pikën kufitare të Durrësit.
Për të përballuar fluksin në rritje Policia e Kufirit, Dogana, si dhe Kapiteneria e Portit Detar, po punojnë me kapacitet të plotë. Numri i sporteleve për kontrollin e dokumentacionit është dyfishuar, kurse kompanitë e lundrimit shtojnë udhëtimet e trageteve, për t’iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve.
Gjatë dy muajve të verës, tragetet e linjës Durrës-Ankona, Durrës-Bari e kthim do të trefishojnë lundrimet, në përgjigje të kërkesave të shumta dhe lehtësimit të udhëtimit për bashkatdhetarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit e që kthehen për pushime pranë familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Krahas emigrantëve shqiptarë, të cilët pushimet verore i kalojnë në vendin e tyre, ka edhe turistë të huaj, të cilët hyjnë në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit. Sipas parashikimeve në portin e Durrësit pritet që fluksi i emigranteve që vijnë në Shqipëri për pushime te jete i lartë të paktën deri më datën 10 gusht./l.m